Gjenocid nazist kundër sintive dhe romëve: fëmijët “asgjësohen”
Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit për sintit dhe romët: Më 2 gusht 1944, 4.300 njerëz u vranë në Aushvic-Birkenau. Tmerrin e persekutimit në të gjithë Evropën e reflektojnë zërat e viktimave.
“E dashur Banetla,” i shkruan Margarete Bamberger motrës së saj në Berlin, “më duhet të të njoftoj, se dy fëmijët e mi më të vegjël kanë vdekur”. Letra e saj u nxor fshehurazi nga i ashtuquajturi “kampi i ciganëve” në Aushvic-Birkenau në vitin 1943. Margarete Bamberger ishte atje me të shoqin Willin dhe fëmijët. Prindërit mbijetuan, të gjithë fëmijët vdesin.
Letra e saj është një nga 60 dëshmitë në portalin “Zërat e Viktimave”, që mund të lexohet në origjinal dhe të dëgjohen në gjuhën gjermane, angleze dhe rome. Shkencëtarët evropianë – të udhëhequr nga historiania Karola Fings – kanë mbledhur letra dhe thënie nga të persekutuarit e pakicave nga 20 vende.
E veçanta është se nuk janë autorët e krimit ata që flasin, por vetë sintit dhe romët, thekson Fings nga Qendra e Kërkimit të Antiziganizmit në Universitetin e Heidelbergut në një intervistë për DW. Tekstet u shkruan gjatë kohës së përndjekjes, ose pak më vonë, kur të dëmtuarit dëshmuan për krimet kundër pakicës së tyre dhe u përpoqën të nxirrnin autorët para drejtësisë.
Aushvic-Birkenau 1944: Vrasje të grave, fëmijëve dhe të moshuarve
Ashtu si fëmijët e Margarete Bamberger shumica e të burgosurve vdesin nga uria, sëmundjet dhe dhuna. Nata e 2 gushtit duke u gdhirë 3 gushti 1944 do të jetë “kulmi i tmerrshëm” i persekutimit racist të sintive dhe romëve, thotë Fings.
SS shkatërruan kampin e familjeve: ata çuan drejt vdekjes 4.300 njerëz, që ulërinin dhe qanin. Një ditë e tmerrshme e gjenocidit ndaj sintive dhe romëve, Porajmos. Parlamenti Evropian ka caktuar 2 gushtin si Ditën Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit për sintit dhe romët.”
Edhe vajza e Zilli Schmidt u mbyt me gaz natën e vrasjeve në 1944: katërvjeçarja Gretel me gjyshërit, tezen dhe gjashtë fëmijët e saj. Ashtu si të burgosurit e tjerë të kampit të përqendrimit, që ishin në gjendje të punonin, nëna e Gretel transportohet pak më parë. Kur ajo vrapon nga treni për të shkuar te familja e saj, mjeku i SS Josef Mengele e detyron atë të kthehet në vagon, duke e goditur me shuplakë në fytyrë: “Ai më shpëtoi jetën, por me këtë nuk më bëri favor”.























