Miliona britanikë do të ballafaqohen me rritje të çmimit të rrymës
Çmimet e energjisë elektrike për miliona britanikë do të rriten në vjeshtë të këtij viti pasi rregullatori i energjisë në këtë vend tha se do të bëjë rritjen e kufirit për tarifat e energjisë elektrike për rreth 12-13%, kryesisht për shkak të rritjes së çmimit të shitjes së gazit me shumicë, ka raportuar Reuters.
Kufiri për tarifat e lejuara të rrymës dhe gazit ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2019. Kjo politikë kishte për qëllim përfundimin e asaj që ish-kryeministrja britanika Theresa May e kishte përkufizuar si ‘çmime zhvatëse’ të zbatuara nga kompanitë energjetike.
‘Rritja e çmimit është duke u ndikuar nga rritja e kostove të sektorit të energjisë për rreth 50% gjashtë muajt e fundit, dhe nga çmimet e larta të gazit pas masave të krizës pandemike’, ka thënë rregullatori në komunikatën e lëshuar për media.
Rregullatori bën përllogaritjen e kufirit duke përdorur një formulë që përfshinë cmimet e gazit në tregun me shumicë, kostot e rrjetit dhe furnizimit me energji elektrike dhe ato të politikave të qeverisë, sikurse subvencionet për energji të ripërtëritshme.
Azhurnimi apo përcaktimi i kufirit bëhet dy herë në vit.























