Talibanët për 3 orë marrin kryeqytetin e parë rajonal në kufi me Iranin
Talibanët morën së fundi nën kontroll një kryeqytet provincial, pasi thirrjet e forcave lokale të sigurisë për përforcime hasën në vesh të shurdhër.
Kjo fitore e talibanëve po cilësohet si goditje e rëndë për qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.
Zaranj, qytet që shtrihen në provincën jugperëndimore, Nimroz, në kufi me Iranin, ra në duart e talibanëve vetëm pas tri orësh luftime, duke u bërë kryeqyteti i parë provincial që bie nën kontrollin e grupit militant, që i ka intensifikuar sulmet në mbarë vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.
Të premten vonë, luftëtarët e armatosur rëndë të talibanëve, duke vozitur automjete të vjedhura të tipit Humvee, po patrullonin rrugëve të Nimrozit, një ndër qendrat kryesore financiare të Afganistanit. Talibanët madje shpallën orë policore gjatë natës në këtë vend.
“Asnjë pjesë në tërë provincën Nimroz nuk është nën kontrollin qeveritar, talibanët e kanë marrë të tërën. Forcat e sigurisë ose kanë ikur në provinca të tjera, ose u janë dorëzuar talibanëve”, tha një zyrtar lokal.
Zyrtarët e qytetit afër kufirit me Iranin thanë se forcat qeveritare kishin bërë thirrje për përforcime për më shumë se një javë, por apeli i tyre nuk kishte marrë përgjigje, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Rreth 3.000 njerëz kanë ikur në Iran para se shteti fqinj ta mbyllte kufirin me provincën afgane, sipas banorëve. Vendësit me ndonjë lidhje me qeverinë po fshihen, nga frika prej sulmeve hakmarrëse nga talibanët.























