Koreja e Jugut raportoi numrin më të lartë të rasteve me COVID-19
Sipas Agjencisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, me rastet e reja, numri i përgjithshëm i rasteve në vend u rrit në 216.206.
Koreja e Jugut raportoi mbi 2.223 raste tjera të koronavirusit, që është shkalla më e lartë ditore që kur pandemia goditi vendin në janar të vitit të kaluar.
Sipas Agjencisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, me rastet e reja, numri i përgjithshëm i rasteve në vend u rrit në 216.206.
Një rast i vdekjes u regjistrua në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 2.135, ndërsa gjithsej 189.506 persona janë shëruar deri më tani.
Vendi ka regjistruar një rritje të infeksioneve të reja që nga 7 korriku, kur varianti Delta, një lloj i koronavirusit i identifikuar për herë të parë në Indi, u raportua në Korenë e Jugut.
Qeveria tashmë ka vendosur kufizime të rrepta shkaku i COVID-it në kryeqytetin Seul, epiqendra e përhapjes të fundit, duke ndaluar tubimet e më shumë se dy personave pas orës 18:00. Gjithashtu, sipas Agjencisë së Lajmeve Yonhap, është vendosur të mbyllen restorantet dhe kafenetë pas orës 10 pasdite.
Presidenti Moon Jae-in shprehu shqetësimin për rastet në rritje dhe tha se vendi i tij po kalon një periudhë kritike.
"Është shqetësim i madh që numri ka tejkaluar 2.000 pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve shëndetësore dhe bashkëpunimit të popullit në distancimin shoqëror", citohet të ketë thënë presidenti gjatë një takimi në kabinetin e tij.
"Ne jemi në një periudhë kritike që mund të jetë një pikë kthese për rritje të mëtejshme të infeksioneve nëse nuk arrijmë të ndalojmë përhapjen aktuale," tha Moon.
Ai shtoi se qeveria e tij do të bëjë çdo përpjekje për të stabilizuar situatën.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga shkurti, kur filloi programi i vaksinimit, 21,63 milionë njerëz kanë marrë vaksinën e parë kundër COVID-19, ndërsa 8,06 milionë janë vaksinuar plotësisht.























