Blinken: Misioni në Afganistan ka qenë i suksesshëm
Sekretari i shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, ka thënë se misioni i SHBA-së në Afganistan ka qenë i suksesshëm. Ai ka refuzuar që të krahasohet situata në Afganistan me atë në Vietnam në vitin 1975.
Forcat talebane sot u futën brenda kryeqytetit të Kabulit, teksa presidenti afgan mori arratinë duke ikur nga vendi. Të gjitha këto zhvillime ndodhën pas largimit të forcave amerikane pas 20 vjetëve qëndrim në vend.
“Ky nuk është Saigon. Fakti është: Ne shkuam në Afganistan 20 vjet më parë me një mision. Ishte të përballemi me njerëzit që na sulmuan më 11 shtator. Ky mision ka qenë i suksesshëm”, ka thënë Blinken për “ABC”.
Stafi i ambasadës amerikane në kryeqendrën e Afganistanit, Kabul, është duke evakuuar sot, ndërsa talebanët kanë përparuar drejt perfierisë së kryeqytetit.
Kryetari afgan i Këshillit të Lartë për Pajtimin Kombëtar, Abdullah Abdullah ka kritikuar ashpër presidentin, Ashraf Ghani që zgjodhi të largohej nga vendi në një situatë kaq të vështirë për Kabulin.
Në një deklaratë, Abdullah tha: “Fakti që ish-presidenti afgan u largua nga vendi dhe la njerëzit dhe vendin në një situatë kaq të keqe, Zoti do t’i kërkojë llogari atij dhe populli i Afganistanit gjithashtu do ta gjykojë atë”.























