Australia fillon evakuimin e qytetarëve të saj nga Afganistani
BKT
   Bota

Australia fillon evakuimin e qytetarëve të saj nga Afganistani

"Ne po marrim të gjitha masat paraprake të arsyeshme dhe po veprojmë urgjentisht për të përmbushur nevojën e vërtetë në këto kushte stresuese", tha kryeministri australian, Morrison.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka njoftuar se ka filluar evakuimi i afganëve që punojnë dhe mbështesin trupat australiane si dhe qytetarët e tyre nga Afganistani.

Në një konferencë për media në kryeqytetin Canberra, Morrison bëri një deklaratë në lidhje me evakuimet që filluan nga aeroporti në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Ai tha se ka filluar evakuimi i afganëve që punojnë me trupat e tyre si dhe qytetarëve australianë në Afganistan. Morrison theksoi se avioni i parë i Forcave Ajrore Australiane, me 26 pasagjerë, u ul në një bazë ushtarake në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Duke potencuar se pasagjerët përfshinin qytetarë australianë dhe afganë me viza australiane, Morrison tha se "Ky nuk është një proces i thjeshtë. Ne do të nxjerrim sa më shumë njerëz të jetë e mundur sa më shpejt dhe në mënyrë të sigurt".

Morrison tha se nuk mund të ndihmojnë të gjithë afganët me të cilët punojnë në Afganistan. "Ne duhet të jemi shumë të qartë për këtë. Ne po marrim të gjitha masat paraprake të arsyeshme dhe po veprojmë urgjentisht për të përmbushur nevojën e vërtetë në këto kushte stresuese", tha ai.

Dy avionë ushtarakë dhe 250 anëtarë të personelit ushtarak u caktuan për evakuim

Përveç Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Australia dërgoi 2 avionë ushtarakë dhe 250 ushtarë për të evakuuar afërsisht 200 qytetarë me familjet e tyre dhe rreth 400 afganë, të cilët punonin në organizata joqeveritare dhe ndihmonin njësitë e tyre ushtarake.

Me fillimin e operacionit të evakuimit, personat në fjalë, të cilët u transferuan në Dubai me avionë ushtarakë, prej aty do të dërgohen në Australi.

Australia, e cila mbylli ambasadën e saj në Afganistan në maj, më 11 korrik njoftoi se kishte tërhequr plotësisht trupat e saj nga vendi.

Që nga prilli Australia ka evakuuar 430 afganë që punonin për ta me familjet e tyre.

Australia vendosi 39 mijë trupa në rajon gjatë 20 viteve të fundit si pjesë e operacioneve të udhëhequra nga SHBA-ja dhe NATO-ja kundër talebanëve dhe grupeve terroriste në Afganistan. Kjo i kushtoi Australisë miliarda dollarë dhe rezultoi në vdekjen e 41 ushtarëve australianë.