SHBA-ja kërkon që Samiti i ardhshëm i OKB-së të mbahet përmes video-linkut
Si masë paraprake mes pandemisë së vazhdueshme të COVID-19, i dërguari i SHBA-së në OKB kërkoi që delegacionet të mos marrin pjesë personalisht në samitin vjetor.
SHBA-ja u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të marrin pjesë në seancën e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (AP-OKB), të caktuar për 21 shtator, përmes video-linkut në vend që të udhëtojnë personalisht në New York, në mes të pandemisë së COVID-19.
"Kemi nevojë për ndihmën tuaj për të parandaluar që Java e 76-të e Nivelit të Lartë të AP-OKB-së të jetë një ngjarje super-përhapëse", shkroi ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield në një letër drejtuar homologëve të saj në trupin botëror prej 193 anëtarësh.
"Krerët e delegacioneve duhet të konsiderojnë dërgimin e deklaratave të tyre në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së me video. Nëse delegacionet zgjedhin të udhëtojnë në New York ne kërkojmë që delegacionet të sjellin numrin më të vogël të udhëtarëve të nevojshëm", tha ajo.
Takimet e AP-OKB-së, i cili është forumi më i madh i diplomacisë në botë, në të cilin mblidhen së bashku udhëheqës botërorë, mijëra diplomatë dhe organizata joqeveritare çdo vit, u mbajtën online vitin e kaluar për shkak të pandemisë.























