Suedi, arrestohet adoleshenti pas sulmit me thikë në një shkollë
Policia konfirmoi se një djalë 15-vjeçar është ndaluar nën dyshimet për vrasje në tentativë pasi një punonjës i shkollës u plagos rëndë në një sulm me thikë në jug të Suedisë.
Një djalë 15-vjeçar është arrestuar nën dyshimet për vrasje në tentativë pasi një punonjës i shkollës u plagos rëndë në një sulm me thikë në jug të Suedisë të enjten, tha policia.
Gazeta "Skanska Dagbladet" njoftoi se sulmuesi mbante një thikë të gjatë, maskë skeleti, helmetë dhe diçka që dukej si jelek antiplumb. Policia nuk pranoi të komentojë më shumë rreth ngjarjes.
Zëdhënësja e policisë, Ewa-Gun Westford, tha se i plagosuri i moshës 45-vjeçare u dërgua me urgjencë me ambulancë në spitalin e afërt. Westford tha se djali u arrestua jashtë shkollës, ndërkohë një oficer policie qëlloi me armë gjatë arrestimit.
Incidenti ndodhi në Eslov, 36 kilometra në verilindje të qytetit Malmo, qyteti i tretë më i madh i Suedisë. Motivi i sulmit mbetet i paqartë, tha Westford, duke shtuar se nuk dihet nëse adoleshenti është nxënës i shkollës.
Hapësira sportive aty pranë u përdor për të mbledhur nxënësit dhe stafin që ishin në ndërtesën e shkollës në kohën e incidentit.























