Kryeministri i Australisë kundërshton mbylljet e vazhdueshme të COVID-19
BKT
   Bota

Kryeministri i Australisë kundërshton mbylljet e vazhdueshme të COVID-19

Kryeministri Scott Morrison tha se qeveria e tij kishte hartuar një plan mbarëkombëtar për të vaksinuar 70-80 për qind të popullsisë, për të jetuar pa frikë nga COVID-19.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, kundërshtoi mbyllje të tjera për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), për të cilat tha se njerëzit do të duhet të jetojnë me të, siç bëjnë me sëmundjet e tjera infektive, raporton Anadolu Agency.

Duke shprehur shqetësimin për mbylljet e vazhdueshme në disa shtete të vendit dhe ndikimet e tyre ekonomike, Morrison u tha gazetarëve në kryeqytetin Canberra se qeveria e tij kishte hartuar tashmë një plan mbarëkombëtar për të vaksinuar 70-80 për qind të popullsisë, për të jetuar pa frikë nga COVID-19.

"Plani kombëtar që kemi zhvilluar dhe rënë dakord është rruga jonë për të jetuar me këtë virus. Ky është qëllimi ynë, të jetojmë me këtë virus, të mos jetojmë me frikën e tij. Ky është një plan i bazuar në këshillat më të mira të mundshme shkencore, mjekësore dhe ekonomike", tha ai gjatë konferencës për shtyp.

Ai sugjeroi që qeveritë e shteteve të përqendrohen në vaksinimet kundër COVID-19 në vend të masave të bllokimit dhe të sigurojnë që 70 për qind e popullsisë të vaksinohen.

Duke nënvizuar se vendi duhet të vazhdojë me vaksinimet me "ritmin rekord" aktual, ai tha: "Ne duhet të sigurohemi që sistemet tona të shëndetit publik të jenë gati për rritjen e numrit të rasteve që do të ndodhin".

Të premten, kryeministri i shtetit Uellsi i Ri Jugor zgjati kufizimet e mbylljes në Sidnei deri në fund të shtatorit, kurse po ashtu u prezantuan masa të reja, përfshirë orën policore, pas rritjes së rasteve me variantin më të transmetueshëm Delta të koronavirusit.

Morrison tha se bllokimet që po përjetojnë tani, kanë shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të rëndë, si në shëndetin mendor dhe fizik të australianëve ashtu edhe në ekonominë e vendit.

Më 21 gusht, Uellsi i Ri Jugor regjistroi një rekord prej 843 raste, ndërsa të hënën, raportoi 818 raste, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të shtetit.

Australia regjistroi 44.920 raste dhe 984 vdekje që nga shpërthimi i pandemisë në vend, sipas Universitetit Johns Hopkins me qendër në SHBA.

Për të mbrojtur njerëzit nga virusi vdekjeprurës, 17,15 milionë njerëz deri tani kanë marrë dozën e parë të vaksinës në vend, ndërsa 6,2 milionë janë vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë.