Iraku fillon operacion të sigurisë kundër DEASH-it
Militantët e DEASH-it kanë prani aktive në rrethin Tarmiyah, 50 kilometra në veri të Bagdadit, nga ku fillojnë sulmet brenda kryeqytetit irakian.
Iraku sot ka nisur një operacion të sigurisë për të kapur militantët e DEASH-it në veri të kryeqytetit Bagdad, raporton Anadolu Agency .
"Nga këtu, njoftoj fillimin e një fushate sigurie në bashkëpunim me familjet e rrethit Tarmiyah, në veri të Bagdadit, për të eliminuar celulat e fshehura të DEASH-it", tha kryeministri irakian, Mustafa al-Kadhimi, gjatë një vizite në zyrën e komandës së operacioneve në Tarmiyah.
"Luftimi i terrorit është përgjegjësi kolektive ku të gjithë duhet të marrin pjesë. Ne duhet të rishikojmë planet tona të sigurisë për t'u përballur me celula të tilla të fshehura", shtoi Al-Kadhimi në vërejtjet e tij të cituara nga një deklaratë e kabinetit.
Militantët e DEASH-it kanë prani aktive në rrethin Tarmiyah, 50 kilometra në veri të Bagdadit, nga ku fillojnë sulmet brenda kryeqytetit irakian.
Të premten, katër persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën në një sulm që synonte një pozicion të milicisë pro-qeveritare Hashd al-Shaabi në Bagdad.
Terroristët e DEASH-it kanë përshkallëzuar sulmet e tyre muajt e fundit, veçanërisht në zonën midis Kirkukut, Salahuddin dhe Diyala.























