Tërheqja nga Afganistani përmbyllet më 31 gusht
BKT
   Bota

Tërheqja nga Afganistani përmbyllet më 31 gusht

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të martën se i përmbahet afatit të 31 gushtit për të përfunduar tërheqjen nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët.

Vendimi nuk përfill thirrjet e aleatëve, të cilët duan t’i japin më shumë kohë evakuimit dhe ka gjasa të pasohet me kritika në adresë të Presidentit Biden se ai është dorëzuar përballë kërkesave të talebanëve për largimin nga vendi brenda gushtit.

“Çdo ditë që jemi në këtë vend është një ditë tjetër kur e dimë se dega e ISIS-it në Afganistan përpiqet të mësyjë aeroportin dhe të na sulmojë ne dhe forcat aleate si dhe civilët e pafajshëm”, tha zoti Biden në komente në Shtëpinë e Bardhë të martën pasdite.

Ai shtoi se talebanët po bashkëpunojnë dhe se siguria është ruajtur, megjithë një numër incidentesh të dhunshme.

“Por është situatë e brishtë”, tha ai, duke shtuar, “Jemi në një rrezik serioz që të mos arrijmë ta ruajmë dot sigurinë në rrjedhën e ditëve”.

Administrata e tij do t’i mbyllë operacionet e evakuimit për nxjerrjen e amerikanëve, afganëve të rrezikuar dhe shtetasve të tjerë të huaj nga Afganistani përpara afatit të tërheqjes së plotë për t’u dhënë mundësi përgatitjeje për largim forcave ushtarake që duhet të nxjerrin edhe pajisjet nga vendi, tha Shtëpia e Bardhë.

“Po ecim me ritmet e duhura për t’u tërhequr plotësisht brenda 31 gushtit”, tha presidenti. “Sa më parë të përfundojmë, aq më mirë. Me çdo ditë që kalon vijnë rreziqe të reja për trupat tona”.

Në komentet e tij të martën zoti Biden nuk përmendi përfundimin e fluturimeve për evakuime më parë se data e tërheqjes së plotë, por zëdhënësja e tij, Jen Psaki pohoi për gazetarët më herët se “do të duhet kohë për të mbyllur gradualisht praninë ushtarake”.

Zëdhënësja nuk pranoi të ofrojë hollësi, por tha se trupat amerikane në Kabul ndeshen me kërcënime në rritje nga dega e ISIS-it.

Më herët të martën, zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby pohoi se ushtria ka nevojë për kohë të dedikuar për mbylljen e operacioneve të veta.

“Një përllogaritje e shpejtë: duhen disa ditë për të nxjerrë pa rrezik nga vendi të gjitha këto forca dhe pajisje që janë aktualisht në aeroport”, tha zoti Kirby.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për komente nëse SHBA do të ndalë para 31 gushtit të gjithë fluturimet me të evakuuar, apo vetëm avionët e saj luftarakë që po përdoren aktualisht për të nxjerrë civilë dhe do të lejojë që avionë komercialë dhe privatë të marrin nga talebanët leje për evakuime.