Shkatërrohet droni i lëshuar nga rebelët Houthi në Arabinë Saudite
BKT
   Bota

Shkatërrohet droni i lëshuar nga rebelët Houthi në Arabinë Saudite

"Droni u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore në rajonin Hamis Mushayt në jugperëndim të Arabisë Saudite".

Në territorin e Arabisë Saudite u shkatërrua një dron (UAV) i lëshuar nga rebelët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani.

Në një deklaratë të bërë nga forcat e koalicionit që mbështesin qeverinë e Jemenit, thuhet se rebelët Houthi shënjestruan Arabinë Saudite me dronë.

Sipas deklaratës, droni në fjalë u neutralizua nga sistemet e mbrojtjes ajrore në rajonin Hamis Mushayt në jugperëndim të Arabisë Saudite.

Në deklaratën që dënon sulmet e milicisë Houthi kundër civilëve, theksohet se "duhet të merren masa kundër sulmeve ndaj civilëve dhe zonave ku ndodhen civilët".

Houthitë nuk kanë bërë ende asnjë deklaratë për këtë çështje.

Në Jemen, ku paqëndrueshmëria politike ka mbizotëruar për një kohë të gjatë, ekzistojnë përleshje midis rebelëve Houthi dhe forcave të lidhura me qeverinë.

Rebelët Houthi që nga shtatori 2014 kanë kontrolluar kryeqytetin Sanaa dhe disa rajone, ndërsa forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që nga marsi 2015 kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Houthive.

Houthitë e mbështetur nga Irani synojnë shpesh rajonet jugore të Arabisë Saudite me raketa balistike dhe me dronë.