Britania paralajmëron qytetarët për "kërcënim të sulmit terrorist" në Kabul
BKT
   Bota

Britania paralajmëron qytetarët për "kërcënim të sulmit terrorist" në Kabul

Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) në këshillën e përditësuar të udhëtimit në Afganistan tha se situata e sigurisë në vend "mbetet e paqëndrueshme".

Britania të mërkurën paralajmëroi qytetarët e saj në Afganistan, duke u kërkuar atyre të mos shkojnë në aeroportin e Kabulit për shkak të "kërcënimit të lartë" të një sulmi terrorist, raporton Anadolu Agency.

Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO) në këshillën e përditësuar të udhëtimit në Afganistan tha se situata e sigurisë në vend "mbetet e paqëndrueshme".

"Ekziston kërcënim i vazhdueshëm dhe i lartë për sulme terroriste. Mos udhëtoni në Aeroportin Ndërkombëtar të Kabulit 'Hamid Karzai'. Nëse jeni në zonën e aeroportit, largohuni në një vend të sigurt dhe prisni këshilla të mëtejshme", theksoi FCDO.

FCDO po ashtu u kërkoi qytetarëve të largoheshin menjëherë nga vendi nëse kjo mund të bëhet në mënyrë të sigurt me mjete të tjera, por shtoi se "udhëtimi nëpër rrugë në të gjithë vendin është jashtëzakonisht i rrezikshëm".

Britania e Madhe deri më tani ka evakuuar 11.000 njerëz nga Afganistani, sipas shifrave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Qeveria në një deklaratë tha se synon të përfundojë operacionin para afatit të 31 gushtit.