Malala: Shumë vajza afgane mund të ndajnë të njëjtën histori me mua
BKT
   Bota

Malala: Shumë vajza afgane mund të ndajnë të njëjtën histori me mua

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, e cila mbron shkollimin e vajzave, më 9 tetor 2012 u sulmua në autobusin ku ajo kishte hipur për të shkuar në shkollë në Luginën Svat në veri të vendit të saj.

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai tha se arsimi i femrave në Afganistan është një mjet i fuqishëm në ndërtimin e paqes dhe sigurisë në Afganistan dhe paralajmëroi se nëse komuniteti ndërkombëtar nuk vepron, shumë vajza afgane do të qëllohen në kokë ashtu sikur është bërë ndaj saj.

Yousafzai në fjalën e saj drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutuan zhvillimet në Afganistan, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbrojë të drejtat e grave dhe vajzave afgane.

"Unë kam ngritur zërin që të gjitha vajzat të shkojnë në shkollë. Jam dëshmitare kur një njeri i armatosur ndaloi autobusin e shkollës, më thirri mua dhe hapi zjarr ndaj meje. Nëse nuk kalojmë në veprim edhe shumë vajza afgane mund të ndajnë të njëjtën histori me mua", deklaroi Yousafzai.

Yousafzai, e cila mbron shkollimin e vajzave, më 9 tetor 2012 u sulmua në autobusin ku ajo kishte hipur për të shkuar në shkollë në Luginën Svat në veri të vendit të saj.

Ajo u plagos në kokë dhe 6 ditë pas sulmit u dërgua në Britani të Madhe për trajtim. Ajo qëndroi për rreth 3 muaj në spitalin "Mbretëresha Elizabeth" në Birmingham dhe në kokën e saj u vendos një pllakë metali. Pas daljes nga spitali në mars 2013, Malala u vendos me familjen e saj në Birmingham dhe vazhdoi sërish shkollën.

Në vitin 2014 në moshën 17-vjeçare Malala Yousafzai fitoi Çmimin Nobel për Paqe duke hyrë në histori si më e reja që ka fituar këtë çmim. Ajo theksoi se çmimin prej 8 milionë krona (rreth 8.8 milionë dollarë) do ta dhuronte për shkollat në Pakistan.

Malala e cila është bërë një prej emrave simbol kryesisht për çështjen e shkollimit të vajzave, e cila nëpërmjet fondacioneve të hapura në emër të saj kryen punime në mënyrë që vajzat në shumë vende në zhvillim të mund të shkojnë në shkollë.