Ambasadat perëndimore në Libi bëjnë thirrje për zgjedhje të lira
BKT
   Bota

Ambasadat perëndimore në Libi bëjnë thirrje për zgjedhje të lira

Ambasadat iu bashkuan thirrjes së të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Libinë, Jan Kubis, i cili ka thënë se mosmbajtja e zgjedhjeve mund të përtërijë konfliktin në vend dhe të dëmtojë përpjekjet për të bashkuar kombin.

Ambasadat e SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë në Libi të dielën në një deklaratë të përbashkët u bënë thirrje të gjithë aktorëve libianë që të sigurojnë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale "inklusive, të lira dhe të ndershme" më 24 dhjetor.

Ambasadat iu bashkuan thirrjes së të Dërguarit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Libinë, Jan Kubis, i cili në konferencën e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 10 shtator tha se mosmbajtja e zgjedhjeve të planifikuara në Libi mund të përtërijë konfliktin në vend dhe të dëmtojë përpjekjet për të bashkuar kombin pas një dekade trazirash.

"Zgjedhje të tilla, siç përcaktohen në Udhërrëfyesin e Forumit Libian të Dialogut Politik (LPDF) në Tunis në nëntor të vitit 2020 dhe të pohuara në Rezolutën 2570 të KS të OKB-së, janë një hap thelbësor në stabilizimin dhe bashkimin e mëtejshëm të Libisë, dhe rezultatet e tyre duhet të respektohen nga të gjithë", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Në deklaratë gjithashtu theksohet se të gjithë aktorët duhet të pranojnë se "tani është koha për të angazhuar dhe finalizuar" kornizën zgjedhore, duke marrë parasysh të gjitha shqetësimet legjitime të popullit libian.

"Ne jemi të gatshëm të mbështesim, me kërkesën e tyre, autoritetet e përkohshme libiane në organizimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ndërgjegjësimin e votuesve dhe edukimin e publikut në lidhje me luftën kundër dezinformimit gjatë fushatës elektorale. Ne mbetemi të përkushtuar, gjithashtu, për pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplote të grave në zgjedhjet libiane, si votues, kandidate dhe vendimmarrës në procesin politik", theksohet më tej.

Deklarata gjithashtu përgëzoi palët libiane për gatishmërinë e tyre "për kthimin e paqes", duke lënë prapa konfliktet e kaluara dhe për të ndërmarrë hapa seriozë drejt bashkimit të institucioneve libiane dhe përfundimit të tranzicionit politik.