Bie numri i dhuruesve të gjakut, dr. Dresha-Berisha: Kemi nevojë për plazmë
Sharr Travel

Bie numri i dhuruesve të gjakut, dr. Dresha-Berisha: Kemi nevojë për plazmë

Shefja e kabinetit të transfuzionit të gjakut në Spitalin e përgjithshëm të Pejës Dr. Rrezarta Dresha – Berisha, në një intervistë për Gazetën lokale të Pejës “ZARFI INFO”, tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur rënie të numrit të dhuruesve vullnetarë të gjakut dhe rritje të kërkesave për gjak. 

“Numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut në këtë periudhën e fundit të pandemisë ka pasur një rënie të lehtë, ndërkaq, kërkesat për gjak kanë pasur një rritje enorme sepse me rritjen e numrit të të infektuarve me COVID, është rritur dukshëm numri i kërkesave për plazmën konvaleshente”, tha doktoresha Dresha-Berisha, transmeton zarfi.info. 

 “Edhe përkundër të gjitha sfidave dhe vështirësive nëpër të cilat kemi kaluar dhe që po vazhdojmë të kalojmë, mund të them me përgjegjësinë më të madhe se asnjë pacient nuk ka mbetur pa e marrë së paku një dozë të plazmës konvaleshente, kjo falë ndihmës së Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të gjakut  dhe dhuruesve të rregullt”. 

Dr. Rrezarta Dresha – Berisha, ka apeluar tek të gjithë qytetarët që tanimë e kanë kaluar COVID-in dhe i kanë marrë dozat e vaksinave, të drejtohen në njësinë e transfuzionit dhe të dhurojnë gjak.

 “Plazma konvaleshente ndihmon shërimin e pacientëve të infektuar me COVID sepse përshpejton pastrimin nga virusi, rritë numrin e limfociteve plazmatike dhe qelizave NK (qelizat natyrore vrasëse), zvogëlon nivelin e laktatit plazmatik si dhe përmirëson funksionimin e veshkave”, tha shefja e kabinetit të transfuzionit të gjakut në Spitalin e përgjithshëm të Pejës Dr. Rrezarta Dresha – Berisha. 


MË SHUME NGA Shëndetësi