Udhëheqësi i ISIS në Sahara u vra nga trupat franceze, thotë Macron
Udhëheqësi i Shtetit Islamik në Sahara, Adnan Abou Walid al-Sahrawi, u vra nga forcat franceze, njoftoi Presidenti Emmanuel Macron të enjten.
“Ky është një tjetër sukses i madh në luftën tonë kundër grupeve terroriste në Sahel”, shtoi Macron, por nuk dha detaje të mëtejshme nga operacioni.
Kjo celulë e ISIS fajësohet për shumicën e sulmeve terroriste në “zonën tre-kufitare” që shtrihet në Mali, Niger dhe Burkina Faso, transmeton euronews.albania.
“Kombi po mendon sonte për të gjithë heronjtë e tij që vdiqën për Francën në Sahel në operacionet Serval dhe Barkhane, për familjet e humbura, për të gjithë të plagosurit e tij”, tha gjithashtu Macron.
“Sakrifica e tyre nuk është e kotë”, shtoi ai.
Al-Sahrawi kishte marrë përgjegjësinë për një sulm të vitit 2017 në Niger që vrau katër personel ushtarak amerikan dhe katër persona të ushtrisë vendase.
Grupi i tij ka rrëmbyer edhe të huaj në Sahel dhe besohet se ende mban amerikanin Jeffrey Woodke, i cili u rrëmbye nga shtëpia e tij në Niger në 2016.























