GJNP autorizon hetimin e luftës kundër drogës të presidentit të Filipineve
BKT
   Bota

GJNP autorizon hetimin e luftës kundër drogës të presidentit të Filipineve

Dhoma Paragjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare Penale miratoi kërkesën e prokurorit për të filluar hetimet mbi krimet e dyshuara kundër njerëzimit në "luftën kundër drogës" të presidentit Rodrigo Duterte.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) të mërkurën bëri të ditur se do të hapë hetime për krime të dyshuara kundër njerëzimit në "luftën kundër drogës" të Presidentit të Filipineve, Rodrigo Duterte, raporton Anadolu Agency.

"Dhoma Paragjyqësore e Gjykatës Ndërkombëtare Penale miratoi kërkesën e prokurorit për fillimin e hetimeve në lidhje me krimet brenda juridiksionit të Gjykatës të supozuara se janë kryer në territorin e Filipineve nga 1 nëntori 2011 deri më 16 mars 2019 në kontekstin e fushatës së ashtuquajtur 'lufta kundër drogës'", thuhet në deklaratën e GJNP-së.

Dhoma tha se fushata e ashtuquajtur "lufta kundër drogës" nuk mund të shihet si një operacion legjitim i zbatimit të ligjit dhe vrasjet as si legjitime.

Kërkesa për të hetuar çështjen kundër Duterte u paraqit më 14 qershor nga ish-prokurorja e GJNP-së, Fatou Bensouda.

"Lufta kundër drogës" e qeverisë së Duterte filloi menjëherë pasi ai mori detyrën në qershor 2016. Ai kreu arrestime në shkallë të gjerë të shpërndarësve dhe përdoruesve të drogës dhe lejoi policinë të vriste çdo kriminel dhe përdorues droge.

Në vitin 2018, Duterte njoftoi tërheqjen e Filipineve nga Statuti i Romës, i cili hyri në fuqi në mars 2019.

Që atëherë, presidenti i Filipineve ka thënë vazhdimisht se nuk do të bashkëpunonte në hetimet e GJNP-së, duke pretenduar se gjykata nuk ka juridiksion në Filipine pasi kombi i Azisë Juglindore është tërhequr nga anëtarësia.

Megjithatë, GJNP tha se kishte ende juridiksion mbi krimet e kryera nga Duterte nga nëntori 2011 deri në mars 2019, kur vendi ishte ende nënshkrues i statutit.

Shifrat e fundit zyrtare të publikuara në qershor treguan se deri në fund të prillit 2021, policia dhe forcat e tjera të sigurisë kishin vrarë të paktën 6.117 shpërndarës të dyshuar droge gjatë operacioneve.

Themeluar në vitin 2002, GJNP është një gjykatë e përhershme që mund të hetojë dhe ndjekë penalisht krimet në situatat kur autoritetet kombëtare nuk janë në gjendje ose nuk duan të veprojnë vërtet.