Ministria e Shëndetësisë do të hartojë ligj të ri për sigurime shëndetësore
Sharr Travel

Ministria e Shëndetësisë do të hartojë ligj të ri për sigurime shëndetësore

Ministria e Shëndetësisë ka nisur punimet për hartimin e ligjit të ri për sigurime shëndetësore. Në grupin punues është thënë se do të jenë sindikatat e shëndetësisë dhe policisë.

Deputetë të partisë në pushtet e kanë konsideruar të domosdoshëm hartimin e ligjit të ri, pasi ligji aktual nuk po gjen zbatim.

Kështu u tha në debatin për temën "Sigurimi shëndetësor dhe jetësor-kur do të jetësohet", të organizuar nga fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). 

Kryetarja e këtij fondacioni, Besa Luzha tha se sigurimi shëndetësor është një e drejtë dhe obligim i institucioneve. 

“Punëtorët shëndetësorë kanë punuar me një sakrificë të jashtëzakonshme, me orë të gjata. Njëkohësisht edhe policisë kohëve të fundit i është vu një barrë e rëndë e monitorimit dhe zbatimit të masave antiCOVID, përkundër punëve të tyre të përditshme. Gjithmonë ka qenë tema se ata vetë si punëtorë që janë në vijën e parë të frontit, që janë të rrezikuar, kur edhe si në çfarë mënyre më në fund prej institucioneve të marrin edhe përgjigje”, ka thënë Luzha. 

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se grupi punues është duke hartuar ligjin e ri për sigurime shëndetësor. Ajo ka theksuar se sigurimet shëndetësore janë financë në shërbim të shëndetit. 

“Atë çfarë jemi duke e bërë aktualisht, duke filluar nga baza ligjore, ku një pjesë e juaja jeni edhe anëtarë apo pjesëmarrës të grupit punues për hartimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Ky është në proces të hartimit, ligj i ri. Ky është paraparë në programin legjislativ për këtë vit, shpresojmë por janë disa parakushte që duhet të merren parasysh edhe gjatë hartimit të ligjit por edhe të zbatimit të tij në të ardhmen. Nuk është një ligj që mund të zbatohet menjëherë, pa qenë të para-plotësuara shumë kushte”, ka deklaruar ajo. 

Më tej, ajo tha se në kuadër të këtij ligji do të sigurohen për licencim të profesionistëve shëndetësorë në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor. 

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësore dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha theksoi se është e domosdoshme që të hartohet ligji i ri, meqë i njëjti i cili është miratuar në vitin 2014 nuk ka gjetur zbatim. 

“Ligji që është miratuar në Kuvend nuk ka gjet zbatueshmëri deri më tani. Dhe vërtetë kemi nevojë për një ligj të ri, i cili pasi të miratohet në Kuvend edhe vërtetë do të fillojë së zbatuari. A kemi ne nevojë për sigurim shëndetësor publik, vërtet nuk duhet të bëhet fare pyetja. Duke ardhur këtu i pash një sërë kompanish private që ofrohen dhe vetëm mund të them se ata veprojnë në mënyrë plotësisht të pavarur duke e keqpërdorur edhe qytetarin që është siguruar aty. Duke e ditur që gjatë COVID-it kanë dalë me një deklaratë që nuk e mbulojnë trajtimin që janë për të prekurit nga COVID”, tha Kollçaku-Mullhaxha. 

Nga Sindikata e Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi ka thënë se për 22 vjet zyrtarët policorë nuk kanë gjetur asnjëherë mbrojtjen institucionale të Kosovës. Ajo ka folur edhe për 20 policët, të cilët kanë vdekur në detyrë dhe për shumë të tjerë që janë lënduar. 

"Është policia e vetme në rajon, por edhe në botë që nuk gëzon të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe nuk e gëzon të drejtën e benificioneve që atij polici i përkasin pas ligjit dhe udhëzimeve administrative të parapara me marrëdhënies së punës në Policinë e Kosovës. Ne kemi humbur më shumë se 20 policë, të cilët janë vrarë dhe nuk e dimë akoma se kush janë vrasësit e tyre. Ato familje jetojnë nën mëshirën e një pensioni, të cilën Policia e Kosovës ja ofron. Vendime të ndryshme të qeverisë, të cilat iu ofrojnë ndihma, por ato nuk janë asnjëherë të sinqerta, sepse vendimi edhe mund të aprovohet edhe fuqizohet. Të gjithë ata pjesëtarë që ne i kemi humbur nuk e kanë pasur të drejtën e gëzimit të sigurimit jetësor dhe sigurimit aksidental dhe shëndetësor”, ka thënë Kamberi. 

Kamberi tha se policët asnjëherë nuk kanë marrë asnjë nga benificionet që janë paraparë me ligjin aktual. Vetëm në vitin e kaluar janë infektuar më shumë se 1500 policë me COVID-19, 24 të tjerë kanë humbur betejën me këtë virus. 


MË SHUME NGA Shëndetësi