India mund të rifillojë eksportimin e vaksinave për COVID-19
Sharr Travel

India mund të rifillojë eksportimin e vaksinave për COVID-19

Mes presionit global në rritje, India thotë se po shqyrton nga afër rifillimin e eksporteve të vaksinave për COVID-19, veçanërisht drejt Afrikës, e cila ka më shumë nevojë.

India është prodhuesi më i madh i vaksinave, por ajo ndaloi eksportimin e tyre në prill për të luftuar një rritje të madhe të virusit që tani e ka kryesisht nën kontroll.

Një person në dijeni të vendimit, i cili kërkoi anonimitet pasi nuk është i autorizuar të flasë me mediat për këtë çështje, i tha agjensisë së lajmeve Reuters se me të paktën 61% të popullsisë së Indisë prej 944 milionë njerëzish që kishin marrë të paktën një dozë të vaksinës ndaj koronavirusit, vendi tashmë ka një tepricë vaksinash.

Vendimi i pritshëm për të rifilluar eksportet vjen ndërsa Presidenti indian Narendra Modi përgatitet të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme për të marrë pjesë në një samit të udhëheqësve të katërshes -Shtetet e Bashkuara, India, Japonia dhe Australia.

“Vendimi për eksportin është një punë e kryer”, tha personi. “India dëshiron të ndihmojë Afrikën si me vaksinat ashtu edhe me modelin e saj operacional për COVID-in”.

Të martën, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se po zhvillon bisedime të vazhdueshme me zyrtarët indianë për të rifilluar furnizimet në kuadrin e platformës globale të shpërndarjes së vaksinave, COVAX.

“Na kanë siguruar se furnizimi do të rifillojë këtë vit”, tha zyrtari i lartë i OBSH-së, Bruce Aylward.

Ndërkohë, Bashkimi Afrikan kritikoi prodhuesit e vaksinave, duke thënë se nuk po u jepet një shans i mirë për të blerë vaksina. Bashkimi Afrikan iu lut vendeve prodhuese – veçanërisht Indisë – të heqin kontrollet e eksportit. Nga 5.7 miliardë doza të vaksinave të koronavirusit të injektuara globalisht, vetëm 2% kanë qenë në Afrikë.

Bashkimi Evropian po premton të dhurojë 200 milionë doza të vaksinave ndaj COVID-19 për vendet me të ardhura të ulëta deri në mesin e vitit 2022.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e bëri premtimin të mërkurën në Strasburg, Francë, gjatë fjalimit të saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian para Parlamentit Evropian. Zonja von der Leyen tha se 200 milionë dozat që BE -ja planifikon të kontribuojë do t’i shtohen një premtimi të mëparshëm për 250 milionë doza, të cilat ajo i përshkroi si “një investim për solidaritetin dhe një investim për shëndetin global”.

Zonja von der Leyen tha se “shkalla e padrejtësisë dhe niveli i urgjencës është i dukshëm”, me më pak se 1% të të gjitha dozave globale të vaksinave për COVID-19 të administruara në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

“Le të bëjmë gjithçka të mundshme në mënyrë që të mos kthehet në një pandemi të të pavaksinuarve”, u tha ajo ligjvënësve të BE-së./VOA