BE fond mbështetës për demokracinë dhe të drejtat e njeriut

BE fond mbështetës për demokracinë dhe të drejtat e njeriut

Pas Javës Botërore 2021 dedikuar Demokracisë, Bashkimi Europian ka lajmëruar 5 aksione, që mbajnë vlerën e €119.5 milionë eurove, të cilat kanë qëllim të nxisin demokracinë dhe promovimin e të drejtave të njeriut në të gjithë botën gjatë vitit 2021.

“Zhvillimet e qëndrueshme dhe mundësitë e barabarta varen nga demokracia: institucione të forta demokratike, përfshirja sociale dhe shoqëritë e angazhuara,” – tha Komisioneria për Partneritetin Global, Juta Urpilainen, transmeton euronews.albania.

Komisioneria tha gjithashtu se ajo ishte “krenare që BE do të vazhdojë të mbështesë zyrën e OKB për të drejtat e njeriut, për të ndihmuar në fuqizimin e organizatave dhe shoqërive civile lokale si dhe aktivistët për demokraci dhe të drejtat e njeriut, të rinjve dhe grave nëpër botë.”

Në raportin e Bashkimit Europian thuhet gjithashtu se BE është e angazhuar plotësisht në fuqizimin e individëve dhe shoqërive demokratike, duke promovuar një sistem global të të drejtave të njeriut dhe demokracisë, si dhe duke mos lejuar “demokracitë në erozion dhe vendet që lejojnë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe barazisë, paragjykimeve dhe diskriminimit”.

Masat e bëra publike sot sigurojnë që mbështetja e BE të shtrihet në organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në 116 shtete partnere, me një vëmendje të veçantë të dedikuar grave dhe të rinjve.