Zgjedhjet në Haiti shtyhen për një kohë të pacaktuar
Zgjedhjet e përgjithshme në Haiti, që duhej të mbaheshin në nëntor, janë shtyrë për një kohë të pacaktuar.
Kështu thotë kryeministri Ariel Henry, pasi shkarkoi të nëntë anëtarët e Komisionit Zgjedhor të vendit.
Ai deklaroi se anëtarët e rinj do të emërohen, por nuk precizoi kohën kur kjo do të ndodhë.
Të nëntët u emëruan nga ish-presidenti Jovenel Moïse, i cili u qëllua për vdekje në korrik.
Komisioni shtyu zgjedhjet dhe një referendum mbi Kushtetutën e kombit pas vdekjes së presidentit, për në 7 nëntor.
Por tani zgjedhjet e nëntorit nuk do të mbahen, as raundi i dytë i zgjedhjeve të planifikuara për në janar, kur do të mbahen edhe zgjedhjet lokale sipas planit.
Henry premtoi një muaj më parë se zgjedhjet do të mbaheshin "sa më shpejt të ishte e mundur", pavarësisht trazirave politike pas vrasjes së Jovenel Moïse dhe tërmetit të rëndë që goditi Haitin në gusht, ku për pasojë shkaktoi më shumë se 2200 viktima./RTKLive























