Çeki: Bunkerët historikë ushtarakë dalin në shitje
Bunkeri Hurka gjatë festimeve të përvjetorit të mobilizimit çekosllovak në vitin 1938
Ushtria çeke ka shitur mijëra bunkerë ushtarakë që kishin për qëllim të parandalonin një sulm nazist në vitin 1938. Në proces, një sistem unik mbrojtës prej gati 5,000 fortifikimesh rrezikon të shkatërrohet.
Në fund të viteve 1930, ajo që atëherë ishte Çekosllovakia ndërtoi një rrjet të gjerë fortifikimesh përgjatë kufirit me atë që atëherë ishte Rajhu Gjerman. Praga kishte frikë se gjermanët do të fillonin një sulm të papritur dhe do të kapërcenin mbrojtjen e vendit para se të kishte kohë për të mobilizuar ushtrinë dhe rezervat.
Megjithëse fortifikimet nuk ishin përfunduar plotësisht deri në shtator 1938, së bashku me vargmalet në zonën kufitare ato përfaqësonin një pengesë të rëndësishme për Wehrmacht-in e kësaj i trembeshin gjeneralët nazistë.
Megjithëse qeveria në Pragë kishte mobilizuar 1.1 milion ushtarë dhe ushtria e saj ishte gati për të luftuar dhe mbrojtur veten, kryeministri britanik Neville Chamberlain dhe homologu i tij francez, Edouard Daladier, firmosën një marrëveshje me Adolf Hitlerin në Mynih më 29 dhe 30 shtator 1938. Marrëveshja e detyroi Çekosllovakinë t'i jepte Rajhut të Tretë pothuajse të gjithë zonën kufitare me Gjermaninë, ku jetonte një minoritet i madh gjerman në atë kohë.























