Refuzuan vaksinën, “United Airlines” pushon nga puna 593 punonjës
Kompania ajrore amerikane “United Airlines” ka vendosur rregulla të qarta në lidhje me nëpunësit e saj të pavaksinuar. Në fillim të muajit gusht të gjithë personelit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu kërkua të vaksinohen.
Ndërsa tani 593 prej tyre janë pushuar nga puna pasi kanë refuzuar të vaksinohen kundër Covid. Kompania ajrore amerikane, ndër të tjera shpjegoi se 2 mijë nëpunës të tjerë – 3% e 67 mijë nëpunësve në total- kanë dorëzuar një raport mjekësor apo arsyetim fetar për të mos u vaksinuar.
Por në total kompania u shpreh e kënaqur me rezultatet e fushatës së saj të vaksinimit. Sipas Agjencisë federale amerikane për aplikimin e ligjeve kundër diskriminimit në vendin e punës, punëdhënësit kanë të drejtë t’u kërkojnë nëpunësve të tyre që të jenë të vaksinuar, duke respektuar sigurisht përjashtimet për arsye mjekësore.
Një zëdhënës i kompanisë tha se kompania ajrore planifikon të punësojë rreth 25,000 persona gjatë viteve të ardhshme dhe vaksinimi do të jetë një kusht punësimi për të gjithë punonjësit e rinj./abcnews.al























