Në ShBA arrihet shifra e zezë e viktimave të koronavirusit – 700.000
Shifra e përgjithshme e të vdekurve nga Covid-19 shkoi në mbi 700.000 të premten në mbrëmje. Ky numër është më i madh se popullsia e qytetit të njohur, Boston.
Numri i madh i të vdekurve ka zemëruar mjekë, zyrtarë të shëndetit publik dhe qytetarë amerikanë në përgjithësi, të cilët përjetuan një lehtësim të pandemisë gjatë verës, por gjendja filloi të përkeqësohej përsëri.
Dhjetëra miliona amerikanë kanë refuzuar që të vaksinohen, duke mundësuar që të përhapet varianti Delta. Kështu, shifra e viktimave shkoi nga 600.000 në 700.000 për tre muaj e gjysmë, shkruan Independent.
Florida prin bindshëm me numrin e të vdekurve gjatë kësaj periudhe me rreth 17.000 viktima vetëm nga mesi i qershorit. Teksasi është i dyti me rreth 13.000 të vdekur. Këto dy shtetet kanë 15 për qind të popullsisë së ShBA-së, por më shumë se 30 për qind të viktimave që nga koha kur shifra kaloi mbi 600.000.
Dr. David Dowby, ekspert i sëmundjeve ngjitëse në Shkollën Bloomberg për Shëndet Publik në “Johns Hopkins”, i cili i ka analizuar të dhënat shtetërore për pandeminë, deklaroi se mund të thuhet se së paku 70.000 nga 100.000 vdekje kanë qenë raste të personave të pavaksinuar.
Sipas tij, nga ata persona të vaksinuar që kanë vdekur, shumica e kishin marrë virusin nga një person i pavaksinuar.























