Çfarë është “versioni i talebanëve i Ligjit të Sheriatit”?
BKT
   Bota

Çfarë është “versioni i talebanëve i Ligjit të Sheriatit”?

Kur qeveria e udhëhequr nga talebanët thotë se po e zbaton ligjin islamik në Afganistan, ajo i referohet interpretimit të saj strikt të Ligjit sunit të Sheriatit.

Nuk ka një ligj universal islamik, pasi Sheriati është i hapur ndaj interpretimeve të ndryshme në mesin e pesë shkollave kryesore juridike islamike – katër shkolla të mendimit sunit dhe një shkollë shiite.

Prandaj, versioni i qeverisë së udhëhequr nga talebanët për ligjin islamik dallon nga Sheriati në shtetet me shumicë myslimane, përfshirë këtu shtetet kryesisht sunite.

Në fakt, shumë studiues insistojnë se mediat perëndimore janë mendjengushta kur e definojnë Sheriatin si “ligj islamik”.

“Sheriati përfshin fusha të gjera të sjelljes personale, që përgjithësisht nuk mbulohen nga rregullat ligjore në shumë shoqëri”, tha profesori i shkencave politike në Universitetin George Washington, Nathan Brown.

“Një përkthim i paqartë, por më i saktë mund të jetë ‘mënyra islame e të bërit të gjërave”, shtoi ai.

Justifikimi i talebanëve për sistemin e tyre islamik të linjës së ashpër i ka rrënjët në Lëvizjen Deobandi të shekullit të 19-të në Indinë e kolonizuar nga britanikët – një linjë e njohur midis islamistëve në Pakistanin dhe Afganistanin e sotëm, që bazohet në shkollën sunite Hanefi.

Haroun Rahimi, në profesor i juridikut – që gjendet në mërgim – nga Universiteti amerikan i Afganistanit me seli në Kabul, thekson se Sheriati i talebanëve është i ndikuar nga traditat lokale në Afganistan dhe nga rajonet fisnore të Pakistanit.

“Talebanët shpesh kanë qenë të mirë në kuptimin dhe përpjekjen për t’u lidhur me dinamikat lokale fisnore sesa që të punojnë kundër tyre. Pra, zbatimi i ligjeve të tyre penale dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve private është një përzierje e shkollës Hanefi dhe kodeve fisnore, ose kuptimi i kulturës lokale”, tha Rahimi për Radion Evropa e Lirë.

“Ata ndjekim shkollën juridike Hanefi siç është përpunuar brenda kurrikulës së medreseve të Deobandit në Pakistan – ku shumë gjyqtarë talebanë trajnohen, për aq sa mund të trajnohen”, shpjegoi Rahimi. “Nganjëherë ata trajnohen shumë pak”, shtoi ai.

Në krahasim me sistemet e tjera të drejtësisë në shtetet me shumicë myslimane, Rahimi tha se gjykatat e talebanëve kanë treguar pak përmbajtje kur bëhet fjalë për dhënien e dënimeve me ekzekutime publike, amputimin e gjymtyrëve dhe rrahjeve me kamxhik.

Një shembull i tillë i traditës islamike është “kisas” apo “hakmarrja” – për “krimet e perceptuara kundër njerëzve”, tha ai.