Rritet presioni brenda CDU-së për Armin Laschet
Një sërë politikanësh nga Partia Kristiandemokrate, CDU kërkojnë një riorientim të partisë konservatore. Disa politikanë kërkojnë edhe ndërrimin e brezave brenda partisë. Të tjerë duan të tregohet unitet.
Në Unionin konservator CDU/CSU ka filluar debati për rigjenerimin e partisë pas humbjes së ndjeshme në zgjedhjet e Bundestagut më 26 shtator dhe pasojat që duhet të ketë kjo për kryetarin e partisë, Armin Laschet. Të enjten zhvillohet një takim i grupit parlamentar të Unionit për të diskutuar mbi gjendjen aktuale, me ftesë të kreut të tij, Ralph Brinkmann, njoftojnë agjencitë e lajmeve.
Ndërkohë po shtohen kritikat nga radhët e brendshme ndaj kreut të CDU-së, Armin Laschet. Eksperti i njohur për çështjet e brendshme i CDU-së, Wolfgang Bosbach i kujton Laschetit hapjen e rrugës për brezat e rinj. "Në landin Renani Veriore-Vestfali (NRW) Armin Laschet tregoi me Hendrik Wüst, se si bëhet. Ai është një profil i ri, në mesin e të 40-ve", tha Bosbach. Do të ishte një sinjal i mirë, nëse Laschet do të moderonte ndërrimin e brezave brenda CDU-së. "Bëhet fjalë për dinjitetin dhe respekt për vetë Armin Laschet", theksoi Bosbach. "Nuk duam luftë të gjatë me javë. Për këtë i detyrohemi Armin Lschetit, që të veprojmë me respekt ndaj tij."























