Arsyet e rritjes së tensioneve midis Kinës dhe Tajvanit
BKT
   Bota

Arsyet e rritjes së tensioneve midis Kinës dhe Tajvanit

Fluturimet e fundit të avionëve ushtarakë kinezë në jugperëndim të Tajvanit kanë ngritur alarmin në këtë ishull, të cilin Pekini pretendon se është pjesë e tij, por edhe kanë rritur tensionet në këtë rajon, që veçse ishte i tensionuar.

Më 9 tetor, presidenti i Kinës, Xi Jingping u zotua se do të ndodhë “ribashkimi” i Tajvanit, ndërsa një ditë më pas, presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen tha se shteti i saj nuk do t’i nënshtrohet presioneve të Pekinit.

Fluturimet e avionëve kinezë janë vetëm një pjesë e mozaikut kompleks në Azi, ku Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij kanë rritur manovrat detare dhe Australia njoftoi muajin e kaluar se do të blinte nëndetëse me energji bërthamore përmes një marrëveshjeje, që shihet si një sfidë e drejtpërdrejtë për Pekinin. Ndërkohë, Japonia është bërë gjithnjë më e zëshme lidhur me shqetësimet që Kina po shndërrohet në një kërcënim për sigurinë.

Ekspertët pajtohen se një konflikt i armatosur nuk është i pashmangshëm, por teksa rriten aktivitetet ushtarake, është rritur frika se një dështim apo një llogaritje e gabuar mund të çojë në një përshkallëzim të paqëllimshëm të situatës. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres muajin e kaluar u bëri thirrje Pekinit dhe Uashingtonit që të përmirësojnë “raportet e tyre plotësisht jofunksionale”, duke thënë se “ne duhet të shmangim me çdo kusht një Luftë të Ftohtë”, shkruan Associated Press.

Më poshtë mund të kuptoni disa çështje që janë kryesore për tensionet në rritje ndërmjet Kinës dhe Tajvanit:

Cilat janë qëllimet e Kinës?

Kina e portretizon profilin e saj ushtarak si krejtësisht mbrojtës, për të mbrojtur, siç shprehet ajo, të drejtat e saj sovrane nga Tajvani deri në Detin Jugor të Kinës dhe kufirin e saj të gjatë dhe të diskutueshëm malor me Indinë. SHBA-ja dhe shumë fqinjë të Kinës e shohin këtë qëndrim si agresiv dhe kanë rritur praninë e tyre me shpresën që të frenojnë përpjekjet e Kinës për të ndryshuar faktet që janë në terren.

Kina, pasi për vite të tëra ka rritur shpenzimet ushtarake, tani mburret se është shteti i dytë në botë me buxhetin më të madh të mbrojtjes – pas Shteteve të Bashkuara – ku buxheti arriti në rreth 209 miliardë dollarë këtë vit. Ky buxhet i ka lejuar Pekinit që të zhvillojë sisteme të avancuara të armëve, përfshirë edhe avionin e tipit J-20, raketat hipersonike dhe dy transportues avionësh, dhe një transportues që ende është duke u ndërtuar.

Presidenti kinez, Xi Jingping, që njëherësh është komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Popullit, ka mbikëqyrur ndërtimin e objekteve ushtarake në ishujt e krijuar nga Kina në Detin Jugor të Kinës, që kanë për qëllim zgjatjen e ujërave territoriale të Kinës. Ai ka deklaruar se vënia e Tajvanit nën kontrollin e Pekinit, nuk duhet t’i lihet gjeneratës së ardhshme. Këto kërcënime të tij drejtuar demokracisë vetëqeverisëse të ishullit, janë rritur edhe më shumë përmes stërvitjeve ushtarake përgjatë vijës bregdetare përballë Tajvanit dhe me fluturimin e një numri të madh të avionëve luftarakë kinezë në zonën identifikuese të mbrojtjes ajrore të Tajvanit. Vetëm të hënën, më 4 tetor, numër rekord prej 56 avionësh fluturuan në këtë zonë, ndërkaq brenda katër ditësh, në total u kryen 149 fluturime.

Cili është roli i SHBA-së?

SHBA-ja, që ka baza ushtarake në Japoni, Kore të Jugut dhe Guam, ka prezencë të madhe ushtarake në rajon dhe ka ndjekur një politikë të fokusuar drejt Indo-Paqësorit që t’i kundërvihet qëndrimit gjithnjë e më këmbëngulës të Kinës.

Gjatë një fjalimi gjatë kësaj jave, Sekretari amerikan i Marinës, Carlos Del Toro u tha kadetëve se Kina do të jetë “një sfidë që do të përcaktojë karrierat e juaja detare”, duke shtuar se Pekini po përdor fuqinë e tij ushtarake për të “kërcënuar fqinjët e tij, për të sfiduar normat e vendosura duke u përpjekur që të kontrollojë ujërat ndërkombëtarë duke thënë se janë të tij”.

“Detyra jonë është që të ruajmë paqen, duke u siguruar që Republika Popullore e Kinës nuk ka ndikim ushtarak mbi Shtetet e Bashkuara apo aleatët dhe partnerët tanë”, tha ai.

Në këtë drejtim, SHBA-ja kryen vazhdimisht stërvitje në rajon së bashku me një sërë aleatësh, përfshirë edhe stërvitjet e fundit ku ishin të përfshira 17 anije nga gjashtë shtete. Këto stërvitje u kryen në verilindje të Tajvanit, afër ishullit japonez Okinava, në kohën e njëjtë kur avionët kinezë po fluturonin në jug të Tajvanit.