Zgjedhjet në Irak dhe shpresat e vakta për ndryshim
Irakianët po votojnë të dielën për të zgjedhur ligjvënësit e rinj të parlamentit të vendit. Zgjedhjet janë bojkotuar nga shumë prej aktivistëve të rinj që dolën në rrugë dy vite më parë me thirrje për t`i dhënë fund korrupsionit dhe keqadministrimit të vendit.
Futja e vendit në zgjedhje të parakohshme u nxit nga kryengritjet popullore në kryeqytetin e vendit, Bagdad dhe në provincat në jug të vendit në fund të vitit 2019. Me dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë gjatë protestave masive duke u përballur me forcat e sigurisë që qëlluan ndaj demostruesve me armë e hodhën gaz lotsjellës. Brenda disa muajsh në vend u vranë më shumë se 600 persona dhe u plagosën me mijëra të tjerë.
Edhe pse autoritetet u dorëzuan dhe thirrën zgjedhjet e parakohshme, numri i të vdekurve dhe goditja e ashpër ndaj protestuesve, bëri që shumë aktivistë që morën pjesë në demostrata të bëjnë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.
Vendi është përfshirë nga apatia dhe skepticizmi i thellë se kandidatët e pavarur mund t’ia dalin të fitojnë ndaj partive dhe politikanëve të kastës së vjetër, shumë prej tyre të mbështetur nga milicia e armatosur.
Në zgjedhje garojnë gjithsej 3,449 kandidatë për 329 vende në parlament. Ky është procesi i gjashtë zgjedhor që nga viti 2003, kohë kur SHBA hyri në këtë vend e rrëzoi nga pushteti Sadam Huseinin.
Më shumë se 250,000 forca sigurie janë angazhuar në mbrotjen e procesit zgjedhor. Ushtarë, policë e forca të antiterrorizmit ishin vendosur jashtë qendrave të votimit, disa prej të cilave ishin rrethuan me tela me gjemba. Votuesit kontrolloheshin përpara se të hynin në qendrat e votimit.
Presidenti i Irakut Barham Salih dhe kryeministri Mustafa al-Kadhimi u bënë thirrje irakianëve për pjesëmarrje masive në votime.
Në zgjedhjet e vitit 2018, rezultatet e të cilave u kundërshtuan gjerësisht, pjesmarrja në votime ishte vetëm 44%, një nivel rekord, i ulët. Shqetësimet janë se edhe këtë herë, pjesëmarrja do të jetë e ngjashme, madje edhe më e ulët.
Deri në mesditë pjesmarrja ishte relativisht e ulët dhe rrugët ishin kryesisht të shkreta.























