Antisemitizmi shumë i përhapur në BE
BKT
   Bota

Antisemitizmi shumë i përhapur në BE

Shumë hebrenj po largohen nga Evropa, sepse ndihen gjithnjë e më të pasigurt, ankohen organizatat hebraike në Bruksel. Ato bëjnë thirrje për më shumë mbështetje në luftën kundër antisemitizmit, raporton Bernd Riegert.

"Unë isha një herë në një qytet të vogël hungarez, në klasat e larta të një shkolle për të mbajtur një leksion mbi hebrenjtë në Hungari. Drejtori më paralajmëroi se studentët, të cilët sapo kishin mbushur 18 vjeç, pothuajse të gjithë do të votonin për "Jobbik", një parti haptazi antisemite. Unë gjithsesi hyra brenda dhe zbulova se gjëja e parë që mendojnë këta studentë kur dëgjojnë fjalën hebre është një sharje", tregon rabini Slomo Köves nga Budapesti. Köves-i punon për "Lidhjen e Veprimit dhe Mbrojtjes" hebraike në Hungari, për të sqaruar njerëzit për jetën e afërsisht 100.000 hebrenjve hungarezë sot dhe për të goditur paragjykimet, veçanërisht midis të rinjve. Ai beson se patjetër mund të ketë efekt me prezantimet e tij në klasat e shkollës. "Shumica e nxënësve kanë shumë pyetje, sepse ka ende shumë paragjykime." Slomo Köves-i beson se pakënaqësia antisemitike në atdheun e tij hungarez po zvogëlohet ngadalë me kalimin e viteve.

Sidoqoftë, ai ende takon studentë, të cilët e pyesin me dëshpërim nëse duhet të qëndrojnë patjetër hebrenj vetëm sepse prindërit e tyre janë hebrenj. Ata ndihen të sulmuar. "Unë kam një ëndërr," thotë Rabbi Köves, "dhe ajo është që asnjë fëmijë në Evropë të mos ketë turp ose të ketë frikë të jetë hebre. Të gjithë duhet të jenë krenarë për trashëgiminë dhe identitetin e tyre."