Vrasja e studentit italian në Egjipt, të dyshuarit thirren para gjykatësit
BKT
   Bota

Vrasja e studentit italian në Egjipt, të dyshuarit thirren para gjykatësit

Katër anëtarë të rangut të lartë të forcave të sigurisë të Egjiptit duhet të dilnin para gjykatësit të enjten e 14 tetorit në Romë, por gjyqi u mbajt në mungesë të tyre.

Ky gjyq vjen pas një hetimi shumëvjeçar mbi vrasjen e Giulio Regenit, studentit italian.

28-vjeçari u zhduk në Kajro, më 25 janar 2016.

Nëntë ditë më vonë, trupi i tij u gjet në anë të një autostrade. Sipas autopsisë, kishte shenja të dhunës.

Prokurorët italianë do të paraqesin çështjen e tyre kundër tre anëtarëve të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë të Egjiptit (NSA) dhe një oficeri të forcës policore hetimore të Kajros.

Gjenerali Tarik Sabir, Koloneli Usham Helmi dhe Athar Kamel Mohamed Ibrahim përballen me akuza për rrëmbim, ndërsa Majori Magdi Ibrahim Abdelal Sharif akuzohet gjithashtu për “dëmtim të rëndë të trupit” dhe “vrasje”.

Asnjëri prej tyre nuk pritet të marrë pjesë në seancën gjyqësore.

Pse të dyshuarit mungojnë?

Vendimi i Gjykatës së Lartë, nëse mungesa e tyre do të konsiderohej vullnetare, do të jetë thelbësore për seancën.

Një gjykim mund të vijojë pa praninë e një të dyshuari, nëse dëshmitë e mjaftueshme tregojnë se autoritetet italiane bënë gjithçka të mundshme për t’i njoftuar ata për akuzat.

Prokurorët italianë kanë kërkuar vazhdimisht vendbanimin ligjor të të katërve, por autoritetet egjiptiane nuk i janë përgjigjur thirrjes.

Avokatët mbrojtës të caktuar nga Gjykata kishin argumentuar më parë se gjykimi nuk duhet të vazhdonte, pasi nuk ishte e sigurt që të dyshuarit ishin në dijeni të procedurës.

Kundërshtimi u hodh poshtë në maj nga gjyqtari i seancës paraprake, i cili tha se mbulimi i mediave, ndër faktorë të tjerë, ishte i tillë që lajmi të kishte arritur te të dyshuarit.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë tani do të duhet të bëjë një vlerësim të ri për të njëjtën çështje.

Ndërkohë, mediat italiane raportuan të mërkurën se zyra e Kryeministrit do të bëhet palë civile në gjyq dhe se katër kryeministrat në pushtet, që nga vdekja e Regenit, do të thirren për të dëshmuar.

Avokati i familjes Regeni, Alessandra Ballerini, thuhet se njoftoi qëllimin e saj për të kërkuar dëshminë e presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi.

Prova pa kthim

Regeni ishte një doktorant nga Universiteti i Cambridge, që studionte sindikatat e pavarura, të cilat ishin ndër lojtarët kryesorë pas revolucionit të vitit 2011, që largoi presidentin Hosni Mubarak.

Prokurorët italianë, të cilët thonë se Regeni u ndoq për 40 ditë para zhdukjes së tij, besojnë se studenti u vu në qendër të vëmendjes së NSA-së, pasi i ofroi ndihmë Mohammed Abdullahut, udhëheqësit të sindikatës së shitësve në rrugë, për të aplikuar për një grant prej 10 mijë paundësh nga një organizatë joqeveritare britanike.

Këto gjetje dolën në dritë dhjetorin e kaluar, kur prokurorët italianë, Michele Prestipino dhe Sergio Coloaiocco, paraqitën prova “pa mëdyshje” në raportin më të detajuar të asaj që ndodhi para dhe pas zhdukjes së Regeni-t.

Një punonjës i NSA-së dëshmoi se kishte parë Regeni-n brenda zyrës së agjencisë, një vilë e vjetër ku zakonisht silleshin të huajt e dyshuar për komplot kundër sigurisë kombëtare të vendit.

Regeni u pa midis 28 dhe 29 janarit i prangosur, ndërsa ishte shtrirë në tokë gjysmë i zhveshur.

Pasi u emëruan dhe akuzuan të katër agjentët, rreth 10 njerëz të tjerë dolën përpara për t’iu drejtuar prokurorëve italianë.