Peter Marki-Zay - kandidati i opozitës kundër Orbanit
BKT
   Bota

Peter Marki-Zay - kandidati i opozitës kundër Orbanit

Opozita hungareze ka rënë dakord, të dërgojë konservatorin Peter Marki-Zay në garën zgjedhore kundër kryeministrit, Viktor Orban. Zgjedhjet në Hungari mbahen në vitin 2022.

49-vjeçari Peter Marki-Zay fitoi papritur zgjedhjet paraprake opozitare, me një epërsi të qartë, ndaj rivales së tij socialdemokrate Klara Dobrev. Marki-Zay mori 56,71 përqind të votave ndërsa Dobrev 43,29 përqind, që do të thotë se ai do të jetë kandidati i opozitës në garën kundër kryeministrit aktual Viktor Orban. Kjo është hera e parë që opozita organizon zgjedhje paraprake për një kandidat të përbashkët. Gjashtë parti opozitare të përçara më parë - nga e majta, ekologjistët e deri tek konservatorët e krahut të djathtë - kanë rënë dakord që të kenë vetëm një kandidat, me shpresë se ai ka më shumë shanse kundër Orbanit, i cili mban postin e kryeministrit prej vitit 2010.

Votimin e vendosën të rinjtë

"Sot ne e ndryshuam edhe opozitën", tha Marki-Zay. Opozita mund të ketë sukses dhe të mposhtë Orbanin vetëm nëse punon së bashku. "Dalja nga situata e tanishme nuk është as në të djathtë dhe as në të majtë, por vetëm lart", shtoi ai. Ai u pajtua me Dobrev se opozita duhet të jetë e bashkuar.