Çmimi Sakharov iu nda opozitarit të burgosur rus, Navalny
BKT
   Bota

Çmimi Sakharov iu nda opozitarit të burgosur rus, Navalny

Parlamenti Evropian i ndau sot Çmimin Sakharov për të drejtat e njeriut opozitarit rus të burgosur Alexei Navalny, i cili vitin e kaluar i mbijetoi një helmimi për të cilin fajëson Kremlinin zyrtar.

Organizata e Navalny-it e konsideroi çmimin si një fitore për të gjithë mbështetësit e "së vërtetës".

"Çmimi Sakharov është, natyrisht, një çmim për të gjithë ju. Për të gjithë njerëzit që nuk janë indiferentë, të cilët edhe në kohët më të errëta nuk kanë frikë të thonë të vërtetën," postoi fondacioni anti-korrupsion ,FBK, i Navalny-it në Twitter.

Në një cicërimë, grupi parlamentar i qendrës së djathtë të PPE shpalli çmimin dhe i bëri thirrje Presidentit rus Vladimir Putin "të lirojë Alexei Navalny. Evropa bën thirrje për lirinë e tij-dhe të gjithë të burgosurve të tjerë politikë".

Lëvizja e kryesuar nga 45-vjeçari është ndaluar si "ekstremiste" dhe disa nga aleatët e tij janë detyruar të largohen nga Rusia nën presionin e autoriteteve.

Çmimi Sakharov, i krijuar në vitin 1988 dhe i emëruar sipas disidentit sovjetik Andrei Sakharov, u jepet çdo vit atyre që luftojnë për të drejtat e njeriut ose për demokracinë.

Të kujtojmë që këtë çmim e kishin fituar edhe Presidenti Ibrahim Rugova dhe veprimtari e i burgosuri shumëvjeçar, Adem Demaçi./RTKlive/