Receta e sallatës me elb, domate qershi, misër dhe ullinj
Sharr Travel

Receta e sallatës me elb, domate qershi, misër dhe ullinj

Nëse jeni duke kërkuar për një recetë të re sallate, të veçantë dhe të ftohtë, kjo është receta e duhur për ju!

Ky është një version alternativ i recetës së makaronave klasike të ftohta, ose sallatës tipike të orizit dhe është vërtet e thjeshtë për t’u bërë.

Një pjatë e lehtë por në të njëjtën kohë shumë e shijshme falë shtimit të qiqrave, rukolës dhe borzilokut të freskët, që do t’i japë një aromë unike.

Kjo është një recetë që mund të përgatitet paraprakisht në shtëpi, të cilën ju mund ta merrni në zyrë ose ta shijoni gjatë një pikniku në natyrë!

Përgatisni vetë këtë sallatë të shijshme me elb, domate qershi, misër dhe ullinj.

Përbërësit

320 g elb

160 g ullinj

400 g domate qershi

200 g qiqra të pjekura

100 g misër

10 g majdanoz

15 g rukola

Borzilok për shije

Vaj ulliri ekstra i virgjër

Kripë për shije

Piper i zi për shije

Përgatitja

Për të përgatitur këtë sallatë, së pari vendosni një tenxhere plot me ujë të kripur në sobë dhe lëreni të ziejë.

Sapo uji të fillojë të vlojë, hidhni elbin dhe gatuajeni për 40 minuta. Ndërkohë, copëtoni ullinjtë dhe domatet dhe hidhini në një tas së bashku me qiqrat e pjekura dhe misrin.

Sapo elbi të përfundojë zjeri, kullojeni dhe ftoheni nën ujë të rrjedhshëm.

Shtojeni në një enë bashkë me përbërësit e tjerë duke hedhur edhe rukolën dhe borzilokun e grirë.

Në fund spërkateni me vaj ulliri dhe piper të zi sipas dëshirës.

Përziejini mirë dhe vendoseni sallatën në frigorifer për të paktën dy orë dhe më pas shërbejeni.

Këshilla

Nëse dëshironi ju mund të provoni ta pasuroni këtë sallatë edhe me djathë ose pak gjizë të kripur.

Ju mund ta ruani këtë sallatë në frigorifer për 2 ditë./agroweb