Morawiecki asnjë shenjë dorëzimi përballë kritikave të BE-së
Sharr Travel

Morawiecki asnjë shenjë dorëzimi përballë kritikave të BE-së

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki nuk tregoi asnjë shenjë dorëzimi përballë një breshëri kritikash ndaj pavarësisë së gjyqësorit polak, të bëra nga homologët e tij të BE-së.

“As qeveria polake dhe as parlamenti polak nuk do të veprojnë nën presionin e shantazhit”, deklaroi Morawiecki në Bruksel.

Gjykata Kushtetuese e vendit të tij vendosi në fillim të këtij muaji se pjesë të ligjit të BE-së ishin të papajtueshme me kushtetutën e vendit duke sjellë sërish në vëmendje tensionet latente në lidhje me çështjet e shtetit ligjor.

Komisioni Evropian tashmë ka premtuar se do t’i përgjigjet asaj që e sheh si një sfidë ndaj supremacisë së ligjit të BE-së duke kërcënuar se do të godasë me padi të reja dhe potencialisht do të mbajë të bllokuara fondet e BE-së për Poloninë.

Varshava ka theksuar se zyrtarët e BE po verpojnë gabim dhe po përpiqen të rrëzojnë qeverinë.

Morawiecki tha se ”Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe Komisioni Evropian kanë marrë kompetenca që nuk u janë dhënë atyre në traktatet e BE-së. Nuk ishte kjo marrëveshja”.

Nuk është e qartë se si mund të zbutet polemika.

Bisedimet përfunduan pa zgjidhje, por një zyrtar i BE tha, në kushte anonimiteti, se ato shërbyen si “një mundësi për të identifikuar vështirësitë dhe për të kuptuar më mirë këndvështrimet e ndryshme”.

“Debati është një hap që duhet të ndihmojë për zgjidhjen”, shtoi burimi i BE-së./atsh


MË SHUME NGA Bota