Turqia do t’i shpall 10 ambasadorë persona non grata
Sharr Travel

Turqia do t’i shpall 10 ambasadorë persona non grata

Dhjetë ambasadorë përfshirë ata të Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara janë tani vetëm një hap larg nga dëbimi nga Turqia, pasi bënë thirrje për lirimin e aktivistit, Osman Kavala.

Ambasadorët e 10 vendeve që bënë thirrje për lirimin e aktivistit turk, Osman Kavala do të shpallen "persona non grata", tha të shtunën presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

“E kam urdhëruar ministrin tonë të Jashtëm që t’i shpallë këta 10 ambasadorë persona non grata sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Erdogan.

Ministria e Jashtme turke thirri ambasadorët të martën, për atë që siç tha, se ishte një deklaratë "të papërgjegjshme".

Të dërguarit kishin lëshuar një dokument të rrallë të përbashkët që kërkonte një zgjidhje të shpejtë të rastit të liderit të burgosur të shoqërisë civile.

Kavala gjendet në burg që nga fundi i vitit 2017, i akuzuar për financimin e protestave të vitit 2013, dhe pjesëmarrjen në një grusht-shtet të dështuar në vitin 2016, gjë të cilën ai e mohon.

Ambasadorët në fjalë janë përfaqësuesit e SHBA-së, Gjermanisë, Kanadasë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Holandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë, në Ankara.