Presidentja e Tajvanit konfirmon praninë e trupave amerikane në ishull
Sharr Travel

Presidentja e Tajvanit konfirmon praninë e trupave amerikane në ishull

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen tha se dialogu me Pekinin do t`i mundësonte Tajvanit "një bashkëjetesë paqësore me Kinën".

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen ka thënë se kërcënimi i Kinës po rritet çdo ditë, duke konfirmuar për herë të parë praninë e ushtrisë amerikane në ishull.

Në një intervistë për CNN të transmetuar të enjten, Tsai Ing-wen u bë presidentja e parë tajvaneze, e cila në dekada pranoi praninë e trupave amerikane në ishull për "qëllime stërvitore".

“Kërcënimi nga Kina po rritet çdo ditë”, tha ajo, duke shtuar se dialogu me Pekinin do t'i mundësonte Tajvanin “një bashkëjetesë në mënyrë paqësore” me Kinën.

E pyetur nëse ushtarë amerikanë janë të vendosur në Tajvan, të cilin Kina e pretendon si provincën e saj "të shkëputur", Ing-wen tha: "Po" duke mos dhënë numrin e ushtarëve të vendosur.

“Ne kemi një gamë të gjerë bashkëpunimi me SHBA-në që synon rritjen e aftësive tona mbrojtëse", tha presidentja tajvaneze.

Nëntorin e kaluar, Taipei njoftoi mbërritjen e marinsave amerikanë për të trajnuar ushtarët tajvanezë për një periudhë të shkurtër trajnimi.

Megjithatë, "The Wall Street Journal", duke cituar zyrtarë amerikanë anonim në fillim të këtij muaji, raportoi se "një njësi e operacioneve speciale të SHBA-së dhe një kontingjent marinsash kanë vepruar fshehurazi në Tajvan për të trajnuar forcat ushtarake atje".

Gazeta pretendon se vendosja është "pjesë e përpjekjeve për të mbështetur mbrojtjen e ishullit në lidhje me rritjen e mundshme të agresionit kinez".

Pekini pretendon se Tajvani, vendi ishull me 24 milionë banorë, është provinca e saj e shkëputur ndërsa Taipei këmbëngul për pavarësinë e saj që nga viti 1949 dhe ka marrëdhënie diplomatike me të paktën 15 vende.

Tensionet janë përshkallëzuar kohët e fundit në ngushticën e Tajvanit, ku Kina dërgoi më shumë se 150 fluturime në atë që Tajvani e quan zonën e saj të identifikimit të mbrojtjes ajrore (ADIZ).

ADIZ është një zonë tampon pranë hapësirës ajrore të një vendi ku ka të drejtë t'i kërkojë avionëve që vijnë të identifikohen.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Tajvanit, vendi ishull ka "regjistruar 680 inkursione në ADIZ këtë vit".

Rritja e aktiviteteteve ajrore kinez mbi rajon është kritikuar ashpër nga SHBA-të, diçka që Pekini e refuzon duke konsideruar si ndërhyrje në “çështjet e brendshme të Kinës”.

Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se SHBA-ja do t'i dalë në mbrojtje të Tajvanit nëse Kina sulmon vendin ishull.

I pyetur për mbrojtjen e Taipeit gjatë intervistës në CNN, Biden tha: "Sigurisht që do ta mbrojmë. Për këtë ne kemi premtuar".

Besohet se ai i është referuar Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin të vitit 1979 që i ka prirë marrëdhënieve të SHBA-së me Tajvanin. Marrëdhëniet janë rregulluar edhe nga ajo që njihet si "Tre Komunikata", të cilat janë marrëveshje dypalëshe me Kinën.

Asnjë nga marrëveshjet nuk thotë në mënyrë eksplicite se SHBA-ja do të dalë në mbrojtje të Tajvanit, por administrata e Bidenit ka thënë vazhdimisht se angazhimi i saj ndaj Tajvanit është "i fortë".

Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin thotë se SHBA-ja "do t'i vë në dispozicion Tajvanit mjete mbrojtëse dhe shërbime mbrojtëse në sasi të tilla që mund të jenë të nevojshme për t'i mundësuar Tajvanit të ketë aftësi të mjaftueshme vetëmbrojtëse".