Uashingtoni bën thirrje për përmbajtje në Sudan
Sharr Travel

Uashingtoni bën thirrje për përmbajtje në Sudan

Pas grushtit ushtarak në Sudan, Sekretari amerikan i Shtetit foli me kryeministin e përmbysur Abdalla Hamdok, i cili u lirua të martën.

Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për kthimin tek tranzicioni drejt demokracisë nën udhëheqjen e qeverisë civile. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine sjell më shumë hollësi.

Ndërsa protestuesit pro-qeverisë civile në kryeqytetin e Sudanit bllokuan trafikun me barrikada të vogla me tulla, komuniteti ndërkombëtar dënoi me shpejtësi grushtin ushtarak të shtetit. Antonio Guterres është Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

“Dënoj fuqishëm marrjen e pushtetit me forcë nga ushtria në Sudan dhe u bëj thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale.”

Zëvendës ambasadori amerikan Richard Mills Jr. ngriti çështjen e Sudanit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, çdo ndryshim me forcë në qeverinë tranzitore në Khartoum, vë në rrezik ndihmën e Shteteve të Bashkuara”.

Gjenerali i lartë i Sudanit Abdel-Fattah Burhan tha se po shpërndante Këshillin Sovran në pushtet si dhe qeverinë e udhëhequr nga Kryeministri Abdalla Hamdok, në një përpjekje, siç u shpreh ai, për të ruajtur kahjen e revolucionit madhështor të dhjetorit, deri sa të arrihen objektivat e tij përfundimtare.

Por në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se ushtria sudaneze ka përmbysur aspiratat demokratike të popullit sudanez. Ai theksoi qendrimin amerikan për situatën, duke punuar me komunitetin ndërkombëtar:

“Lirimi i menjëhershëm i të gjitha figurave politike të arrestuara në lidhje me këto ngjarje. Rivendosja e plotë e qeverisë tranzitore të udhëhequr nga civilët dhe përmbajtje nga çdo lloj dhune kundër protestuesve paqësorë, përfshirë armët e zjarrit. Dënojmë fuqishëm dhunën kundër protestuesve paqësorë.”

Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli në telefon me Kryeministrin Hamdok mbrëmjen e së martës. Ai përshëndeti lirimin e tij nga paraburgimi dhe theksoi mbështetjen amerikane për tranzicionin drejt demokracisë të udhëhequr nga qeveria civile.

Përfshirja dimplomatike në rajon është pikërisht gjëja që nevojitet tani, tha për Zërin e Amerikës Joseph Tucker me Institutin Amerikan të Paqes,.

“Shpresoj të ketë angazhim me Egjiptin, sepse ky është thelbi i çështjes, që ushtria dhe ata që e mbështesin, mendojnë se gëzojnë mbështetjen e rajonit. Ndaj është kritike vëmendja e zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane.”

Departamenti i Shtetit i ka bërë thirrje ushtrisë sudaneze që të përmbahet nga çdo dhunë kundër protestuesve paqësorë, përfshirë mospërdorimin e armëve të zjarrit.


MË SHUME NGA Bota