Situata epidemiologjike në Kosovë është stabile
Ariana Kasapolli, Radio Kosova
Situata epidemiologjike në Kosovë është stabile, thonë profesionistë shëndetësorë. Ajo që mbetet shqetësuese është rënia e interesimit të qytetarëve për vaksinim.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se tashmë kanë krijuar ekipe mobile me qëllim stimulimi të qytetarëve për vaksinim.
Kohët e fundit është ulur numri i personave të infektuar me koronavirus në Kosovë. Por në të njëjtën periudhë ka rënë edhe interesimi i qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19. Profesionistët bëjnë thirrje për vaksinim.
Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, tha për Radio Kosovën se interesimi për vaksinim ka rënë pas qetësimit të situatës me COVID-19 dhe rënies së numrit të viktimave.
“Te çdo kategori ka persona që hezitojnë të vaksinohen, por për fat të mirë, numri i atyre që kanë treguar interesim për vaksinim është më i madh dhe tashmë popullata është vaksinuar në shkallë relativisht të mirë,” tha Hoti.
Për shkak të rënies së interesimit për vaksinim tashmë janë krijuar ekipe mobile për vaksinim dhe do të jenë të vendosura në sheshet kryesore të qyteteve: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan.
Por profesionistë shëndetësorë thonë se për të rritur interesimin e qytetarëve të Kosovës për vaksinim, duhet që autoritetet kompetente të zbatojnë masat në fuqi, posaçërisht kërkesën për dëshmi të vaksinimit gjatë hyrjes në institucione publike dhe private.
Megjithëkëtë ata thonë se tash për tash nuk pritet ndonjë shpërthim epidemik. Ilir Tolaj tha për Radio Kosovën se aktualisht situata epidemiologjike është e favorshme në Kosovë por që masat duhet respektohen.
‘’Unë personalisht nuk e pres në një të ardhme të afërt ndonjë valë të re të epidemisë, meqë aktualisht situate epidemiologjike është e favorshme. Por mendoj se masat duhet të vazhdojnë të respektohen dhe vaksinimi gjithashtu duhet të vazhdojë me ritmin e njëjtë. Sigurisht që përjashtim bën ndonjë variant i ri i cili dot mund të ishte më agresiv se që ishte varianti Delta’’, ka thënë Tolaj.
Në Kosovë nga muaji mars i vitit 2021, kur ka filluar procesi i imunizimit, dhe deri më tani, janë administruar mbi 1.5 milion doza të vaksinës.
Në Planin Shtetëror të Imunizimit dhe në programin e Qeverisë së Kosovës, është paraparë që deri në fund të këtij viti të vaksinohen 60 për qind e popullatës.
Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë janë blerë edhe 140 mijë vaksina të gripit sezonal, ku tashmë janë duke u vaksinuar qytetarët.























