Holanda 226 ditë pa qeveri, rekord i ri
BKT
   Bota

Holanda 226 ditë pa qeveri, rekord i ri

Holanda vendosi një rekord të ri për negociatat e koalicionit qeveritar pasi vendi nuk ka arritur ende të formojë një kabinet, më shumë se shtatë muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

E premtja shënoi 226 ditë negociatash për koalicionin që ka kërkuar kohëzgjatjen më të  madhe në historinë e vendit.

Katër parti janë aktualisht duke negociuar për të vazhduar koalicionin aktual, nën drejtimin e kryeministrit Mark Rutte.

Sidoqoftë, ai tha se ”nuk pret një rezultat të shpejtë”.

“Ka ende shumë për të bërë”, theksoi Rutte.

Rekordi i mëparshëm prej 225 ditësh u vendos në vitin 2017, kur politikanët po punonin për të formuar kabinetin e tretë të Ruttes.

Rekordi botëror mbahet nga Belgjika fqinje ku përgjatë viteve 2010-2011, vendit iu deshën 541 ditë për të formuar një qeveri.

Votuesit holandezë dolën në kutitë e votimit për zgjedhjet parlamentare të 17 marsit.

Partia Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) e krahut të djathtë të Ruttes ka dalë më e votuara si edhe liberalët e krahut të majtë (D66) që bënë përparim të rëndësishëm, por nevojiten të paktën katër parti për një koalicion të shumicës./atsh