Greqi, Merkel në vizitë simbolike
BKT
   Bota

Greqi, Merkel në vizitë simbolike

Kancelarja gjermane, Angela Merkel po zhvillon një vizitë simbolike dyditore në Greqi.

Merkel ndodhet në Greqi pas një ftese të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në Slloveni.

Mbrëmjen e së enjtes, dy liderët kanë darkuar në rezidencën e kryeministrit.

Liderja gjermane do të nisë vizitën e saj zyrtare sot me një fjalim para të rinjve në institutin ”Goethe”.

Më pas ajo do të takohet me presidenten greke, Katerina Sakellaropoulou në Pallatin Presidencial përpara se të japë deklarata të përbashkëta për shtypin.

Sipas burimeve qeveritare, vizita e Merkelit në Athinë shënon një pikë kthese si për ekuilibrin brenda BE-së, por edhe për Greqinë.

Në takim do të diskutohen marrëdhëniet dypalëshe si dhe marrëdhëniet greko-turke dhe euro-turke pas zhvillimeve të fundit dhe provokimit të vazhdueshëm turk në Mesdheun Lindor, çështjet e migracionit, situata në Libi, por edhe lëvizjet e Greqisë në sektorin e energjisë, shembulli më i fundit nënshkrimi i një marrëveshjeje me Egjiptin për ndërlidhjen me energji elektrike./atsh