Jemen, 12 të vdekur nga sulmi i rebelëve Houthi në Marib
BKT
   Bota

Jemen, 12 të vdekur nga sulmi i rebelëve Houthi në Marib

Sulmi erdhi pasi forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite njoftuan se 95 rebelë Houthi u vranë dhe 11 automjete ushtarake u shkatërruan në operacionet e kryera në 24 orët e fundit në Marib.

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa 20 të tjerë janë lënduar në një sulm me raketa të kryer nga rebelët Houthi në provincën Marib të Jemenit, raporton Anadolu Agency.

Sipas burimeve lokale dhe dëshmitarëve okularë, rebelët Houthi shënjestruan pesë rezidenca në distriktin Al-Jalwah.

Sulmi erdhi pasi forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite njoftuan se 95 rebelë Houthi u vranë dhe 11 automjete ushtarake u shkatërruan në operacionet e kryera në 24 orët e fundit në Marib.

Ministri i Informacionit i Jemenit, Muammar al-Iryani, në rrjetet sociale njoftoi se raketat balistike të prodhuara nga Irani shënjestruan një vendbanim civil në Marib, duke shkatërruar katër shtëpi dhe një xhami.

Qeveria jemenase kontrollon pjesën më të madhe të Maribit, ndërsa rebelët Houthi kontrollojnë disa zona në provincë.

Në muajt e fundit, rebelët Houthi të lidhur me Iranin kanë shtuar sulmet për të marrë kontrollin e provincës Marib të pasur me naftë, një nga bastionet më të rëndësishme të qeverisë legjitime dhe shtëpia e selisë së Ministrisë së Mbrojtjes të Jemenit.

Më 13 shkurt, ushtria jemenase nisi një operacion në shkallë të gjerë kundër rebelëve Houthi në fronte të ndryshme në Marib për të mbrojtur provincën.