Lehtësohen kufizimet pandemike në Korenë e Jugut
Në kuadër të planit të ri, vendi planifikon t`u japë fund të gjitha kufizimeve COVID-19 deri muajin shkurt.
Koreja e Jugut ka bërë të ditur lehtësimin e mëtejshëm të masave kufizuese kundër koronavirusit të ri (COVID-19) derisa nga java e ardhshme vendi kalon në skemën e "të jetuarit me COVID-19".
Duke njoftuar fazën e parë të planit me tre faza, raportojnë mediat lokale, kryeministri Kim Boo-kyum tha se qeveria synon që gradualisht të kthejë jetën e qytetarëve në normalitet.
"Duke filluar nga 1 nëntori, komuniteti ynë hedh hapin e parë drejt rimëkëmbjes së jetës së përditshme, por ne duhet të jemi në dijeni se ky nuk është fundi i luftës tonë kundër virusit, por është fillimi", tha Kim gjatë kryesimit të një takimi të komitetit COVID-19 në Seul.
Në kuadër të fazës së parë që do të fillojë nga e hëna, në kryeqytet dhe në zonat përreth do të lejohet grupimi deri në dhjetë qytetarë, ndërsa në pjesët e tjera të vendit do të lejohet grupimi deri në 12 qytetarë, respektivisht në varësi të përqindjes së vaksinimit.
Ndalimi i orarit të punës për bizneset po ashtu do të hiqet, megjithatë qytetarët do të vazhdojnë të mbajnë maska në hapësira të mbyllura.
Qytetarët që shkojnë në bare, klube nate dhe palestra të mbyllura duhet të vaksinohen, respektivisht në objektet me rrezik të lartë ata duhet të posedojnë certifikatën e vaksinimit ose testin negativ ndaj virusit COVID-19.
Në kuadër të planit të ri, vendi planifikon t'u japë fund të gjitha kufizimeve COVID-19 deri muajin shkurt.
Masat e reja vijnë mes rritjes së fundit të rasteve me COVID-19 në Korenë e Jugut, e cila së fundmi regjistroi 2.123 infeksione të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 360.536.
Autoritetet po ashtu raportuan nëntë vdekje të tjera, me çka numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 në vend ka arritur në 2.817.
Deri më tani 41,03 milionë qytetarë ose 79,9 për qind e popullsisë së vendit me 52 milionë banorë janë vaksinuar kundër pandemisë COVID-19, prej të cilëve 37,59 milionë ose 73,2 për qind janë vaksinuar plotësisht me të dyja dozat e nevojshme të vaksinës.























