SHBA-ja njofton ndihmë shtesë humanitare për Afganistanin
BKT
   Bota

SHBA-ja njofton ndihmë shtesë humanitare për Afganistanin

“Si pjesë e angazhimit tonë të qëndrueshëm ndaj popullit të Afganistanit, Shtetet e Bashkuara njoftuan afro 144 milionë dollarë ndihmë humanitare për ata që janë prekur nga kriza e vazhdueshme humanitare”, tha Blinken në një deklaratë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar rreth 144 milionë dollarë ndihmë humanitare shtesë për popullin e Afganistanit.

“Si pjesë e angazhimit tonë të qëndrueshëm ndaj popullit të Afganistanit, SHBA njoftoi afro 144 milionë dollarë ndihmë humanitare për ata që janë prekur nga kriza e vazhdueshme humanitare”, tha Blinken në një deklaratë.

“Kjo ndihmë e çon totalin e ndihmës humanitare të SHBA-së në Afganistan dhe për refugjatët afganë në rajon në afro 474 milionë dollarë në vitin 2021, shuma më e madhe e ndihmës nga cilido shtet”, shtoi ai.

Blinken theksoi se ndihma u ofrohet drejtpërdrejtë organizatave të pavarura humanitare, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Ky financim jep mbështetje të drejtpërdrejtë për disa prej mbi 18 milionë afganëve të prekur në nevojë në rajon, duke përfshirë refugjatët afganë në vendet fqinje”, tha ai.

Ndihma shtesë humanitare “do t'u mundësojë partnerëve tanë të ofrojnë mbrojtje jetëshpëtuese, mbështetje për sigurinë ushqimore, kujdes shëndetësor thelbësor, ndihmë për dimërimin, logjistikë dhe ndihmë urgjente ushqimore në përgjigje të nevojave humanitare në rritje të përkeqësuara nga mungesat e kujdesit shëndetësor, COVID-19, thatësira, kequshqyerja dhe dimrin e afërt”, tha ai.

Blinken shtoi se nga financimi do të "përfitojë populli i Afganistanit dhe jo talebanët, të cilët do të vazhdojmë t'i mbajmë përgjegjës për angazhimet që kanë marrë".

Ai u bëri thirrje vendeve pritëse “të mbajnë kufijtë e tyre të hapur për afganët që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”.