Guterres: COP26 duhet të veprojë për të shpëtuar njerëzimin
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i bëri sot thirrje COP26 për të shpëtuar njerëzimin përballë ndryshimeve klimatike.
“Është koha për të thënë mjaft”, deklaroi Guterres, duke iu drejtuar dhjetëra liderëve botërorë të mbledhur në Glasgou për COP26.
“Mjaft me brutalizimin e biodiversitetit. Mjaft e vramë veten me karbon. Mjaft e trajtuam natyrën si një tualet. Mjaft me djegie, shpime dhe nxjerrje gjithnjë e më thellë. Ne po gërmojmë varret tona”, paralajmëroi ai.
“Në vend që të vazhdoni të shfrytëzoni planetin, zgjidhni të shpëtoni të ardhmen tonë dhe të shpëtoni njerëzimin”, shtoi kreu i OKB-së.
Sipas tij, njerëzimi po e shtyn veten në buzë të humnerës nga “varësia jonë ndaj karburanteve fosile”.
Për shtetet ishullore në veçanti, të kërcënuara nga rritja e nivelit të detit, një dështim i COP26 për të rritur përpjekjet për të kufizuar ngrohjen globale do të përbënte “një urdhër vdekjeje”./atsh























