100 liderë botërorë firmosin marrëveshjen historike për mbrojtjen e pyjeve
Më shumë se 100 liderë botërorë do të nënshkruajnë një marrëveshje historike për të mbrojtur dhe restauruar pyjet e Tokës, deklaroi qeveria britanike.
Sot, në ditën e dytë të samitit të ndryshimeve klimatike COP26 në Glasgou, udhëheqësit që mbulojnë 85% të pyjeve të botës do të zotohen të ndalojnë dhe të kthejnë shpyllëzimin dhe degradimin e tokës deri në vitin 2030.
Downing Street theksoi se ”zotimet u mbështetën nga 8,75 miliardë sterlina fonde publike me një shtesë prej 5,3 miliardë në investime private”.
Angazhimi, që do të shpallet zyrtarisht në një ngjarje të thirrur nga Boris Johnson, u mirëprit nga aktivistët dhe ekspertët, në veçanti njohja e rolit të popujve indigjenë në mbrojtjen e pyjeve.
Kryeministri Boris Johnson e ka mbështetur masën, duke thënë se do të mbështesë qëllimin e COP26 për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius përmes thithjes së emetimeve të karbonit nga pyjet.
“Këto ekosisteme të mëdha të mbushura me ujë, këto katedrale të natyrës, janë mushkëritë e planetit tonë’’, deklaroi Johnson.
“Pyjet mbështesin komunitetet, mjetet e jetesës dhe furnizimet ushqimore dhe thithin karbonin që ne hedhim në atmosferë. Ato janë thelbësore për vetë mbijetesën tonë”, shtoi ai./atsh























