Supë brokoli me presh, vlera dhe shije fantastike në një pjatë
BKT
Kuzhina

Supë brokoli me presh, vlera dhe shije fantastike në një pjatë

E lehtë dhe shumë e shëndetshme, supa me brokoli dhe presh është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë.

Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin dhe preshin ndër perimet e gjelbra më të shëndetshme.

E kombinuar në një recetë supe me presh dhe e gatuar me disa përbërës të tjerë po aq të shëndetshëm siç është vaji i ullirit apo edhe patatet e karrotat, kjo pjatë është e mbushur plot me vlera shëndetësore krahas shijes së lehtë të saj.

Ndiqni më poshtë recetën për supën me brokoli, për ta përgatitur atë krej lehtë në shtëpi.

Si ta përgatisni në shtëpi

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4 – 5 persona)

400 gr brokoli

4 lugë gjelle vaj ulliri

1-2 presh mesatarë (përdorni vetëm pjesën e bardhë)

1 karrotë

1-2 patate mesatare

1 l lëng i nxehtë pule ose perimesh

Kripë

Majdanoz

Piper

Përgatitja

Si fillim, pastrojmë të gjitha perimet me ujë të rrjedhshëm.

Preshim e grijmë hollë, patatet dhe karrotat i qërojmë dhe i presim në kubikë të vegjël ndërsa ndajmë brokolin në degëza të vogla.

Në një tenxhere hedhim një lugë gjelle vaj ulliri e vendosim në zjarr dhe më pas shtojmë preshin e grirë hollë, e kaurdisim për 2-3 minuta derisa volumi të ulet pak.

Më pas shtojmë karrotat dhe patatet e prerë në kubikë, vijojmë t’i kaurdisim për pak.

Shtojmë lëngun e nxehtë të pulës ose perimeve dhe i lëmë të zjejnë bashkë përreth 30 minuta.

Për të përfituar maksimalisht nga vlerat e brokolit, AgroWeb.org ju sugjeron që t’i shtoni degëzat e brokolit 10 minutat e fundit që të ziejnë bashkë me përbërësit e tjerë të supës.

I heqim nga zjarri dhe sipas preferencës mund t’i fusni në mikser derisa të jetë përftuar një masë kremoze e supës.

Supën e rregullojmë me kripë dhe piper.

E hedhim në tasat e servirjes së supës, i spërkasim me vajin e ullirit dhe majdanoz të grirë hollë dhe e shërbejmë të ngrohtë dhe me bukë të thekur shoqëruar./agroweb