Azerbajxhan, presidenti bën thirrje për shpërndarje të drejtë të vaksinave
BKT
   Bota

Azerbajxhan, presidenti bën thirrje për shpërndarje të drejtë të vaksinave

Aliyev tha se disa vende tashmë kanë vepruar në dhënien e dozës së tretë përforcuese të vaksinës, ndërsa disa akoma kanë shkallë të ulët të vaksinimit.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka përsëritur thirrjen e tij për "qasje të barabartë dhe universale ndaj vaksinave" teksa bota vazhdon të luftojë pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19).

"Ne nisëm iniciativën në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së në lidhje me qasjen e barabartë dhe universale ndaj vaksinave, si dhe shpërndarjen e drejtë të vaksinave. Ne jemi një ndër vendet që flet hapur për çështje si nacionalizmi i vaksinave dhe shpërndarja e padrejtë e vaksinave në nivel global", tha Aliyev në Forumin e tetë Global të Bakut, të titulluar "Pas pandemisë COVID-19".

Aliyev tha se disa vende tashmë kanë vepruar në dhënien e dozës së tretë përforcuese të vaksinës, ndërsa disa akoma kanë shkallë të ulët të vaksinimit.

"Prandaj, ne duhet ta adresojmë këtë çështje në mënyrë që të krijojmë mundësi të barabarta", shtoi ai.

Sipas një njoftimi nga presidenca e Azerbajxhanit, Forumi i tetë Global i Bakut mbledh së bashku përfaqësues të lartë, përfshirë ish-krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe zyrtarë të grupeve ndërkombëtare dhe joqeveritare nga më shumë se 40 vende për të diskutuar çështje me rëndësi globale.

Forumi do të përfshijë panele diskutimesh mbi tema të tilla si rendi i ri botëror pas pandemisë COVID-19, ekonomia e re botërore, lufta ndaj ndryshimeve klimatike dhe përmbushja globale për energji, kujdesi shëndetësor dhe vaksinimi, promovimi i sigurisë ushqimore, si dhe situatën në Bashkimin Evropian (BE), Ballkan dhe Kaukazin Jugor.