Britania e gatshme të ekstradojë ushtarët e akuzuar për vrasje në Kenia
Agnes Wanjiru, e cila dyshohet se u vra nga ushtarët britanike në vitin 2012, për herë të fundit u pa në një lokal duke u larguar me ushtarakët e Mbretërisë së Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ekstradojë ushtarët e saj të akuzuar për vrasjen e një gruaje keniane në vitin 2012, tha të mërkurën ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë, James Heappey.
Heappey, i cili është për një vizitë në vend, tha se juridiksioni ligjor i takon qeverisë së Kenias, ku është kryer vrasja e Agnes Wanjiru.
“Për momentin nuk jam i njohur mbi aranzhimet për ekstradimin midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Kenias, por absolutisht të gjithë në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar janë të vetëdijshëm se si ka ndikuar rasti i Agnes në publikun kenian dhe ne duam t'ua bëjmë me dije se e kemi marrë shumë seriozisht këtë rast dhe duam vendosjen e drejtësisë”, tha ai.
Komentet e tij erdhën pasi banorët vendas në qytetin Nanyuk dolën në rrugë javën e kaluar duke bërë thirrje për drejtësi për Wanjiru. Situata u përkeqësua së fundmi pas shfaqjes së raporteve, ku ushtarët e implikuar bënin shaka dhe qeshnin për vrasjen sipas të dhënave në Facebook.
Wanjiru dyshohet se është vrarë nga një ushtar britanik në vitin 2012. Banorët thanë se ajo për herë të fundit u pa në një lokal duke u larguar në shoqërinë e ushtarakëve britanikë.
Policia në Kenia, e cila do të rihapë hetimet për vrasjen, gjeti trupin e Agnes në një gropë septike në hotelin Lions Court në Nanyuki.
“Ajo që u kam thënë përfaqësuesve të komunitetit dhe atë që Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace dhe unë ua kemi bërë absolutisht të qartë të gjithëve që punojnë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Britanike është se nëse ka pretendime të mëtejshme që zbardhen, absolutisht asnjë gurë nuk do të lihet pa lëvizur për t'u siguruar që ne të ofrojmë të gjithë informacionin e nevojshëm për autoritetet keniane për të hetuar këto pretendime", tha Heappey.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar nuk ka asgjë për të fshehur këtu. "Ne duam që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë, sepse Agnes dhe familja e saj tashmë kanë pritur shumë gjatë”, shtoi Heappey.
Mijëra ushtarë janë trajnuar në kampin e Njësisë së Trajnimit të Ushtrisë Britanike në Kenia (BATUK), një strukturë trajnimi ushtarake britanike në Nanyuki.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar, BATUK përbëhet nga një staf prej rreth 100 pjesëtarësh të përhershëm dhe një grup me turne të shkurtër përforcues prej 280 pjesëtarë të tjerë. Sipas një marrëveshjeje me qeverinë keniane, deri në gjashtë batalione këmbësorie në vit kryejnë ushtrime tetë-javore në Kenia.
Gjithashtu ka dhe ushtrime të inxhinierëve mbretërorë, të cilët kryejnë projekte të inxhinierisë civile dhe vendosje mjekësore që ofrojnë ndihmë të kujdesit shëndetësor për komunitetin civil.























