Prodhuesit e mëdhenj nuk mbështesin heqjen e qymyrit si burim energjetik
Kërkesën për heqjen e qymyrit si burim energjetik e mbështetën edhe 23 vende të tjera në konferencën e OKB-së për klimën, por ende kundërshtohen prodhuesit më të mëdhenj të karburantit më ndotës që shkakton ngrohjen globale.
Samiti COP26 u përpoq të gjejë një mënyrë për të arritur qëllimin e kufizimit të rritjes së temperaturës globale në 1,5 gradë Celsius në raport me nivelet paraindustriale.
Emetimet e gazrave të dëmshme nga djegia e qymyrit kontribuojnë më shumë në ndryshimet klimatike, kështu që reduktimi i përdorimit të tij është çelësi për arritjen e qëllimeve klimatike.
Premtimi për të hequr gradualisht qymyrin nuk është mbështetur nga Australia, India, SHBA-ja dhe Kina, të cilat posedojnë më shumë se gjysmën e termocentraleve në botë dhe planifikojnë të ndërtojnë më shumë.
Në vitin 2020, emetimet e CO2 shënuan ulje për një rekord prej 1,9 miliardë tonësh, që ishte ulje prej 5,4 për qind, pasi të gjitha vendet u vendosën në lockdown dhe mbyllën ekonomitë.
Raport i ri i përgatitur nga “Global Carbon Project” parashikon se emetimet do të rriten për 4,9 për qind këtë vit.
“Prisnim një rritje të caktuar. Ajo që na befasoi është intensiteti dhe shpejtësia e rritjes”, tha studiuesi Pierre Fridlingstein, studiues i modelimit klimatik nga Universiteti në Ecceter.
Vendet më të pasura kanë rënë dakord që të eliminojnë qymyrin si burim energjie deri në vitin 2030 dhe ato më të varfrat deri në vitin 2040.
Termocentralet aktualisht prodhojnë më shumë se një të tretën e energjisë elektrike në botë.
Shumë vende në zhvillim mbështeten në qymyrin e lirë, siç bënë vendet e zhvilluara sot në kohën e Revolucionit Industrial në shekullin XIX./ atsh























